UEFA ‘i qepet’ keqaz Milanit, i kërkon KAS-it arsyen e faljes së kuqezinjve, paralajmëron...

Milani pret vendimin e UEFA-s, por edhe anasjelltas. Drejtuesit e institucionit më të madh futbollistik në Europë i kanë kërkuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv dosjen e kuqezinjve dhe motivimet e hedhjes poshtë të dënimit ndaj italianëve.

UEFA ka marrë edhe një herë në dorë dosjet me skuadrat që kanë shkelur rregullat e vendosura nga ky institucion për sa u përket financave dhe në mes të shumë dosjeve, është edhe ajo e Milanit.

Nuk pritet që UEFA të ndryshojë diçka te Milani, por në fundin e muajit mund të jepet një përgjigje e dytë. Kjo kërkesë e UEFA-s ka të bëjë me vendimin e ri që duhet të marrë për të sanksionuar “Djallin”, në kuadër të problematikave financiare të shfaqura nga 2014-ta deri në 2018-ën. Nga zyrat në Nion bëhet e ditur se ekziston vullneti për të mbyllur një herë e mirë çështjen e Milanit, por për të dhënë vendimin përfundimtar, kërkohet njohja me vendimin e KAS-it për të përcaktuar më pas edhe sanksionin e ri për Milanin, që sidoqoftë rrezikun për të mos luajtur në Ligën e Europës e ka lënë pas krahëve.