'Brixhi', loja e pashoqe që të stërvit trurin dhe mjeshtrat e saj, Gramoz Pashko, Petrit Radovicka, Emin Mysliu ...

Brigde është një sport i bukur i mendjes dhe ka origjinë shumë të largët. Paraardhësi i tij zyrtar është loja “Triumph”, e cila ka qenë shumë e përhapur dhe e preferuar në oborret mbretërore në shekujt,  XV- XVI. Forma e tij moderne u krijua nga shekulli XIX, në qarqet aristokratike të kohës ku luhej në emrin “Wist”. Kjo e fundit është një lojë shumë e ngjashme me lojën “5-katësh” që është shumë e përhapur në vendin tonë. Vetëm në fillim të shekullit XX, kjo lojë u kompletua me rregullore tepër të saktë, gjë që pruri kthimin e saj në një sport të mirëfilltë të mendjes, nga dhe ku mori emrin përfundimtar, “Brixh”. Kështu, në fillim të viteve ’30 u krijuan federatat e para sportive në shtetet e zhvilluara të kohës si SHBA, Francë, Angli, Holandë, Gjermani, Norvegji, Itali, Austri, Belgjikë, etj.

Në vitin 1932 u krijua “EBL” (Europian Bridge League) dhe në vitin 1958 “WBF” (World Bridge Federation).

Kostandin Kapo, president i Federatës Shqiptare të Lojës Brixh, në intervistën e dhënë për “Scan Magazine” tregon mbi historikun e hershëm të kësaj loje në vendin tonë dhe po ashtu, me suksesin që kjo federatë po përfshin dita-ditës.

Si nisi loja Brigde në Shqipëri?

Gjurmët e para të Brixhit në vendin tonë i gjejmë aty rreth viteve ’30, ku edhe aristokracia e kohës në vendin tonë nuk mbetej prapa aristokracisë europiane. Me ardhjen e regjimit komunist, kjo lojë u konsiderua si sport borgjez dhe u ndalua. Deri nga fundi i viteve ‘70, loja u luajt fshehurazi, në qarqe të ngushta intelektualësh, ndërsa në fillimin e viteve ’80, kjo lojë u luajt në mënyrë masive në zboret ushtarake, pasuniversitare. Presidenti i Federatës Kostadin Kapo tregon se me ardhjen e demokracisë, shumica e praktikuesve të këtij sporti emigruan dhe vetëm në fillimet e viteve 2000, me nismën e një grupi intelektualësh, u bë i mundur themelimi i shoqatës së parë sportive të këtij sporti, që daton saktësisht në vitin 2003 në Tiranë. Ish-brezat studentorë të asaj kohe kanë qenë sportistët e parë që morën pjesë në aktivitetet e para sportive të shoqatave. Në qershor 2004, shoqatat e krijuara u anëtarësuan në EBL (Federatën Europiane të Brixhit) dhe njëkohësisht në WBF (Federatën  Botërore të Brixhit). Në vitit 2006 u bë anëtarësimi në KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar) dhe në gusht 2008 u njoh nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si federatë e mirëfilltë sportive. Në gjirin e kësaj federate, aktualisht funksionojnë si qendra të rregullta sportive, në formën e shoqatave sportive, tre të tilla: “Shoqata Shqiptare e Lojës Brixh”, e cila merret me hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit dhe përhapjes së këtij sporti; “Shoqata e Lojës Brixh, Tiranë”, që përveç rrethit të Tiranës është përgjegjëse për zhvillimin e aktivizimin e gjithë lojtarëve dhe qendrave sportive të Shqipërisë së veriut, si dhe “Shoqata e Lojës Brixh, Durrës”, që përveç rrethit të Durrësit është përgjegjëse për zhvillimin dhe aktivizimin e gjithë lojtarëve të Shqipërisë së Jugut. Fakt me shumë rëndësi është se pranë federatës është çelur shkolla e brixhit, ku çdo muaj dalin sportistë të rinj dhe ku përzgjidhen, stërviten e testohen lojtarët e përfaqësueseve.

15 vite, sport elitar

Për presidentin e Federatës, Kostandin Kapo, një ndër synimet e shumta është fakti se, sot, në botë, format e turizmit janë të shumëllojshme dhe, duke parë shifrat tepër tërheqëse që tregon  turizmi brixhistik, federata është në fazën përgatitore të realizimit të turneve ndërkombëtare në vend. Kjo do të thithte në vendin tonë, tepër tërheqës në aspektin e pozicionit gjeografik, klimës, natyrës strukturave e kostove, një numër tepër interesant turistësh praktikues të këtij sporti, sidomos në periudhat jashtë sezoneve klasike turistike. 

Federata, në 15 vite krijimi nuk ka ndalur në realizimin e aktiviteteve. Që prej vitit 2003, e deri më sot janë zhvilluar rregullisht kampionatet kombëtare dhe kupat e republikës, në disiplinat individuale, me çifte dhe me skuadra.

Kapo dallon mes aktiviteteve të shumta, kompeticionet me kupat përkatëse, në emër të figurave të spikatura të këtij sporti, siç janë: Kupa “Gramoz Pashko”, pasi zoti Pashko ka qenë një anëtar aktiv i Federatës; Kupa “Petrit Radovicka”, pasi ai ka qenë pionieri i brixhit modern në Shqipëri dhe Kupa “Emin Mysliu”, veteran me kontribut të shquar në brixhin shqiptar.

Përsa i përket aktiviteteve ndërkombëtare mund të thuhet se, aktualisht, Shqipëria është një nga aktorët me aktivë të kompeticioneve sportive ballkanike, europiane e botërore. Kështu mund të përmendim pjesëmarrjen e kampionit të vitit, Kostandin Kapo, në turneun ndërkombëtar të Torinos, në shkurt 2005, me pjesëmarrjen e 38 shteteve, ku u rendit në vendin e gjashtëmbëdhjetë. Po ashtu, pjesemarrjen e çiftit kampion të republikës, Xhuli – Kapo, në turneun ndërkombëtar të Milanos, në dhjetor 2006, ku u renditën të 17-t, ndër 43 çifte. Në tërësinë  e saj, Federata Shqiptare e Lojës Brixh, sot gëzon të regjistruar 243 persona.

Synimet e federatës në vazhdimësi

Qëllimet dhe synimet e kësaj federate janë dhe propozime zyrtare për bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Një ndër pikat e para është ajo e tërheqjes së rinisë dhe shtresave të ndryshme nga tendenca e lojrave të fatit dhe bixhozit, duke propozuar përfshirjen në statutin dhe veprimtarinë edhe lojën e “5-katëshit”, por të trajtuar si veprimtari e mirëfilltë sportive, ku rezultatet arrihen vetëm me përgatitje teknike e stërvitje dhe jo thjesht nga fati. Është përgatitur gjithashtu një program ambicioz për futjen e brixhit në shkollat e ndryshme, si veprimtari sportive. Në aspektin e promovimit të imazhit të vendit tonë në botë, presidenti i Federatës, Kostadin Kapo, tregon se është ndërmarrë angazhimi për të organizuar në Shqipëri aktivitete të rëndësishme zyrtare dhe ndërkombëtare të këtij sporti si, kampionate botërore, kampionate europiane dhe kampionate ballkanike, të kategorive të ndryshme.