Ndeshja e parë si titullar/ Dy gola nga këmbët e Shaqirit

Liverpool ka siguruar fitoren e pestë në po kaq ndeshje në kampionatin anglez, pasi mundi 3-0 Southampton në “Anfield”.

Të tre golat e Reds-ave u shënuan që në pjesën e parë, në të cilën luajti si titullar edhe Xherdan Shaqiri, për herë të parë që prej nisjes së Premier League.

Mesfushori me origjinë shqiptare u bë protagonist pas vetëm dhjetë minutash lojë kur pas një depërtimi nga e majta dërgoi një top në qendër të zonës së Southampton, që u devijua për në portë nga Wesley Hoedt, duke i dhënë skuadrës së Jurgen Klopp avantazhin.

11 minuta më vonë, Liverpool dyfishoi rezultatin kur Joel Matip kërceu mbi të gjithë për të devijuar saktë në rrjetë një top të ardhur në zonë nga një goditje këndi.

Ndeshja praktikisht u mbyll në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, kur Mohamed Salah u gjet në vendin e duhur në kohën e duhur për të kapur një top të përplasur në traversë pas një goditje dënimi të goditur mjeshtërisht nga Shaqiri.

Pavarësisht se ishte protagonist në dy nga tre golat e Liverpool, Klopp e uli në stol Shaqirin në pjesën e dytë për t’i bërë vend Milnerit, për të shtuar më shumë muskuj në mesfushë, ndërsa më vonë u detyrua të largonte Van Dijk nga loja për shkak të jë dëmtimi.

Me lojën totalisht nën kontroll, Liverpool provoi të shënonte përsëri dhe ia arriti me Salah, por gjqytari ia anuloi golin e dytë egjiptianit për pozicion jashtë loje.

Tani, skuadra e Klopp kryeson e vetme renditjen me 18 pikë, në pritje të asaj që do të bëjë nesër Chelsea në fushën e West Ham.