VIDEO/ Përgjaket parada ushtarake, 25 të vrarë dhe mbi 60 të plagosur

Persona të armatosur hapën zjarr gjatë një parade ushtarake në Iran, që po zhvillohej në qytetin jugperëndimor të Ahvaz, duke vrarë të paktën 25 persona.

Në mesin e viktimave janë edhe qytetarë të thjeshtë, ndërsa sipas mediave ndërkombëtare, të plagosurit janë mbi 60.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:00 me orën lokale dhe zgjati rreth 10 minuta. Autorët, të cilët dyshohet se ishin të paktën 4, qëlluan nga një park pranë paradës dhe mbanin të veshur uniforma ushtarake.

Thuajse gjysma e viktimave ishin anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane. Në mesin e të vdekurve ka edhe gra e fëmijë që po shihnin paradën. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar edhe disa pamje të kapura gjatë kohës që ndodhte masakra.