EMRI/ Arrestohet shqiptari i dënuar për mashtrim

Policia e Vicenzës ka arrestuar një shqiptar mbi të cilin rëndonte një mandat kërkimi për shkak se i kishte shpëtuar dënimit të dhënë nga gjykata.

Policët e ndaluan personin për një kontroll dhe ai reagoi me fjalë pa kuptim e pak të besueshme.

Pas verifikimit të identitetit, rezultoi që ai ishte Ahmet Balla, 40 vjeç, i lindur në Shqipëri por banues prej vitesh në zonën e Vareses, mbi të cilën rëndonte një dënim me burg një vit, dy muaj e 13 ditë, për mashtrim të rëndë.

Balla u ndalua për kontroll teksa lëvizte me makinën e tij Toyota Prius, e cila ngjalli dyshime te policët. Me këta të fundit u bashkua edhe një patrullë karabinierësh.

Pas kërkimit të dokumenteve të identifikimit, drejtuesi i mjetit u bë dukshëm nervoz dhe nxori letra të ndryshme dhe denoncime false për humbje dokumentesh, pa treguar patentën.

Identifikimi i tij u bë pas marrjes së shenjave të gishtave dhe rezultoi që ai ishte dënuar për mashtrim në dëm të shtetit italian në periudhën 2008-2012, për përfitime financiare pa të drejtë, çka e çoi në qelitë e burgut Del Papa në Vicenza, në pritje të kryerjes së dënimit.