Paralajmërimi i Bashës nga Vlora: Shansi i fundit për Edi Ramën

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka paralajmëruar sërish sot kryeministrin Edi Rama se miratimi i ligjit të Vetingut të politikanëve është shansi i fundit që i jepet për pastrimin e politikës nga krimi, në të kundërt gjithçka mbetet në dorë të qytetarëve.

Basha: “...me ju do të marrim vendimin final për t’i dhënë përgjigjen e merituar shtetit të kapur nga krimi, për të çliruar institucionet e kapura nga krimi, duke filluar me çlirimin e Kuvendit. Naivëve, të paditurve por edhe kaçurreleve të Edi Ramës që pyesin përse PD dhe opozita nuk janë sot në Kuvend, iu themi qartë dhe prerë: Teatri nuk është shkaku por pasoja e emergjencës kombëtare.  Një parlament i mbushur me kriminelë, me politikanë që bashkëpunojnë haptazi me krimin, e pranojnë këtë pa iu dridhur syri dhe nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, nuk është vendi për të kërkuar zgjidhje, por është vendi për të marrë fshesën dhe për të pastruar.

Nuk do të ketë më asnjë ligj, asnjë reformë, asnjë pakt, asnjë negociatë, asnjë bisedë pa zgjidhur këtë çështje themelore, që është, largimi i politikanëve të lidhur me krimin.

Nëse kjo nuk ndodh nëpërmjet shansit të fundit institucionalisht, ligjit për vetingun e politikanëve, atëherë është detyra e qytetarëve shqiptarë që së bashku me ne, opozitën e vendin, t’i japim zgjidhjen që i jep çdo vend i civilizuar kur institucionet, Kushtetuta dhe ligji uzurpohen nga kriminelët, hajdutët dhe politikanët e lidhur me ta....

Rruga që na pret është e vështirë. Sfida që do të kalojmë është prova e zjarrit."