De Vrij tregon sekretin si e mbuluan zikaltrit golashënuesin më të mirë të Botërorit

Mbrojtësi i zikaltërve, Stefan De Vrij, ka folur për mikrofonat e “InterTV” pas tri pikëve të fituara kundër Tottenhamit në ndeshjen e debutimit në Champions League.

“Pas një suksesi të tillë të pushton emocioni, – pranoi holandezi. – Ishte një mbrëmje e paharrueshme: diçka e bukur të fitosh kështu, në frymën e fundit. Treguam karakter dhe arritëm të kthenim ndeshjen në favor në fund. Asisti im për Vecinon? Ndodhesha prapa, nuk e shihja portën dhe mendova ta hedh në zonë: për fat të mirë ndodhej atje!”.

Blerja e Interit gjatë merkatos së verës mbuloi mjaft mirë golashënuesin e Botërorit, Harry Kane, duke mos i dhënë mundësinë anglezit të shënojë.

“E dija që ishte shumë i fortë edhe fizikisht. Por u mbrojtëm mirë, duke treguar pjekuri dhe soliditet. Arritëm t’u mbyllnim linjat e pasimeve duke u nisur edhe nga mesfusha: u vendosëm mirë në fushë, me pak fjalë. Kjo mund të jetë kthesa, por duhet ta tregojmë edhe në kampionat: të shtunën na pret një ndeshje ndërlikuar në një fushë të vështirë (në fushën e Cagliarit), duhet të japim maksimumin”, u shpreh De Vrij.