Sa miliona euro gjobë do të paguante `Lali Eri` për fotot me fëmijët, nëse Shqipëria do të ishte Itali?!

Erion Veliaj është ndoshta politikani dhe zyrtari më tipik dhe i paprecedentë edhe në botë, për të shfrytëzuar deri në mani rrjetet sociale në favor të propagandës që kuron imazhin e tij.

Përveç elementëve, si qentë, pemët, martesat, veshjet si punëtor kantieri etj, një nga gjetjet më të bëra “bozë” të kryetarit të bashkisë së Tiranës është “zënia pritë” e fëmijëve të kryeqytetit, dalja në foto me ata në çdo lloj pozicioni dhe më pas, shpërndarja e imazheve deri në bombardim në rrjetet sociale.

Kaq shumë e ka tepruar Erion Veliaj këtë punën e përdorimit të fëmijëve të çdo lloj moshe për propagandë, sa që dëgjon shpesh çamarrokë nëpër rrugë, lulishte e shkolla që bërtasin me të madhe duke u tallur; mbathjani klamaja se po vjen Lali Eri, të na nxjerrë në Facebook-un e tij!

Por Lali Eri është në Tiranë dhe në Shqipërinë e Rilindjes, ku mund të bësh çfarë të duash.

Nëse ai do të bënte të njëjtën gjë në ndonjë vend të Bashkimit Europian, as “lekët e fiqve” që ka shitur kur ishte i vogël dhe as “kursimet e gjyshes” që janë bërë për publikun si thesari i Ali Pashë Tepelenës, nuk do ti mjaftonin për të paguar gjobat për çdo fëmijë që nxjerr në FB.

 Vetëm pak kohë më parë  në Italinë fqinje, kur një nënë publikoi foton e fëmijës së vet të mitur pa e pyetur atë, shkaktoi një furtunë të vërtetë në rrjetet sociale edhe `detyroi` një gjykatë të këtij vendi, që ta dënonte  me një gjobë të majme, prej plot 10 mijë euro.

Tani bëjeni vetë llogarinë, se sa miliona euro do të shkonin gjobat e Erion Veliajt për qindra e mijëra foto që ka shpërndarë në faqen e tij dhe të bashkisë me fëmijë të mitur nga 0-16 vjeç; në maternitet, shkolla, rrugë, lulishte e kudo ku të mundet! Po.Ho