Nuk përmbahet Salah: Fitojmë Premierligën dhe Championsin

Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, në një intervistë të dhënë për median e madhe sportive franceze, “France Football”, këtë fundjavë, ndër të tjera, foli edhe për shanset e Liverpoolit për të fituar trofeun e Champions League, më të rëndësishmin për klubet në arenën europiane.

Ishte pikërisht Liverpool finalistja e Champions League sezonin e kaluar, me Real Madridin që triumfoi ndaj të kuqve për të ngritur në qiell trofeun e lakmuar.

Teksa vetë Salah notonte mes lotëve, i dënuar të largohej para kohe nga fusha, për shkak të atij dëmtimi në shpatull, të pësuar pas përplasjes me Sergio Ramos.

“Sezonin e kaluar ne eliminuam Manchester Cityn në çerekfinale, më pas Romën që kishte fituar ndaj Barcelonës. Ishin ndeshje të jashtëzakonshme në çdo raund. Ne luajtëm dhe triumfuam ndaj ekipeve që pretendonin të fitonin trofeun, duke ia dalë mbanë të shkonim në finale. Kështu që patjetër që po, ne mund t’ia dalim sërish”, shprehet egjiptiani.

“Jam i sigurtë që ne mund ta fitojmë. Madje mund t’i fitojmë të dyja, Champions League dhe Premier League. Nuk dua të ushtroj presion, por po, çdo gjë është e mundur. PSG ka individë shumë të fortë dhe ekip shumë të mirë. Pres me padurim të luaj kundër atyre. Parashikoj një përballje shumë të pëlqyeshme dhe intensive”, deklaroi Salah.