VIDEO/ Zbulohen pamjet, ja ndjekja në det e skafistëve shqiptarë që u kapën me 1.7 ton drogë

Një video që raportohet se i përket ndjekjes së skafit në bordin e të cilit u sekuestruan mbi 1.7 ton drogë dhe u arrestuan dy shqiptarë, u publikua nga mediat italiane.

Ndërkohë, detaje të reja bëhen lidhur me aksionin e sekuestrimit të gomones me rreth 1.700 kg marijuanë në brigjet italiane dhe arrestimin e dy shqiptarëve gjatë natës.

Sipas Guardia di Finanzia-s, kjo sasi droge, nëse shitej në treg me doza të vogla do të gjeneronte rreth 15 milionë euro.

Sipas të njëjtave burime, operacioni i sekuestrimit të gomones me drogë është ekzekutuar nga reparti ajror detar i financës italiane të rajonit të Puglias, Molisses e Abruzzos me mbështetjen e mjeteve ajrore të operacionit “Themis 2018” të asgjësisë europiane Frontex e nën drejtimin e Drejtorisë Operative të Financës italiane në Pratica di Mare të Romës.

Gjatë natës, rojet bregdetare italiane të repartit të Lago di Lesina në provincën e Foxhias kanë pikasur në ujërat ndërkombëtar një gomone që lundronte me shpejtësi mjaft të lartë drejt brigjeve italiane. Në bordin e mjetit ishin të dukshme pakot me ngarkesë të dyshimtë. Mjetet lundruese të financës italiane janë vënë menjëherë në ndjekje të gomones. Skafistët nuk i janë përgjigjur urdhrit të ndalimit të forcave italiane, por janë përpjekur të largohen duke shtuar shpejtësinë e duke hedhur në ujë disa prej pakove që kishin në bord.

Pas një ndjekje të shkurtër nga roja bregdetare e repartit të financiare të Termolit. Gomonia është ndaluar në ujërat e Cala del Principe në komunën San Nicandro Garganico në provincën e Foxhias.

Policia italiane ka sekuestruar në det dhe në bordin e gomones 104 pako të madhësive të ndryshme me rreth 1718 kg marijuanë.

Gomonia e gjatë 10 metra e me dy motorë të fuqishëm jashtë bordit është shoqëruar në portin e Vieste, dhe në pranga janë vënë dy skafistët shqiptarë, ndërsa policia shqiptare zbuloi se të arrestuarit janë të identifikuar me inicialet A. L., 38 vjeç dhe A. A., 36 vjeç.

Sipas policisë shqiptare, mjeti detar sipas hetimeve te deritanishme, nga policitë e vendeve partnere, nuk është nisur nga brigjet shqiptare, ndërkohë në njoftimin e GF nuk përcaktohet pikënisja.

Policia italiane informon se prej fillimit të vitit 2018 e deri më sot vetëm në rajonin e Puglias janë sekuestruar 15 mjete lundruese me drogë, janë arrestuar 37 skafistë dhe janë sekuestruar 16 tonë marijuanë.