Shifra e çmendur, Fatmir e Agron Xhafaj fituan 10 miliardë lekë nga bixhozi vetëm në 2017

Dhjetë miliardë lekë fituan Agron dhe Fatmir Xhafaj, ky i fundit ministër i Brendshëm, nga kompania e tyre e basteve vetëm në vitin 2017. PD publikoi sot, shifrat e çmendura sesi u rrit papritur një biznes modest bastesh nga viti 2014 deri në 2017, sesi i dhjetëfishoi fitimet me ardhjen në pushtet të Edi Ramës.  

"I fshehur pas identitetit të dy anëtarëve të bandës të dënuar në të njëjtin proces në Itali, Agron Xhafaj ia ka dalë që menjëherë pas ardhjes në pushtet të të vëllait, Fatmirt,  të zgjerojë biznesin me shtimin e 2176 pikave të reja të basteve në të gjithë Shqipërinë, - deklaroi deputeti Enkelejd Alibeaj nga selia e PD. - Sot, ne po publikojmë të dhëna të tjera që tregojnë sesi kompania e basteve prapa së cilës qëndron vëllai i Fatmir Xhafaj ka  rritur fitimin në mënyrë të frikshme në katër vitet e pushtetit të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt.

Siç tregohet në grafik, nga një kompani bastesh me të ardhura jodomethënëse , kompania e Agron Xhafajt ka nisur rritjen galopante ditët e para të ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Nga 1 milion dollarë në vitin 2014, të ardhurat e vëllait të ministrit të Brendshëm janë dhjetëfishuar në katër vite duke shkuar në plot 10 milionë USD në vitin 2017!"