Mourinho shuan polemikat, ja çfarë thotë pë Pogban

Jose Mourinho nuk beson se Paul Pogba dëshiron të largohet nga Manchester United, sepse mesfushori francez “kurrë nuk ka kërkuar transferim”. Barcelona thuhet se po synon 25-vjeçarin, mes raporteve mediatike se ai dëshiron të largohet nga “Djajtë e Kuq” në janar dhe ka një marrëdhënie të keqe me trajnerin e tij.

Ylli i Francës ndihmoi vetëm spekulimet e vazhdueshme, kur nuk arriti ta përjashtonte largimin nga “Old Trafford”, javën e kaluar. Megjithatë, Mourinho nuk ka asnjë arsye për të besuar se fituesi i Kupës së Botës ka vendosur të largohet nga skuadra e tij: “Paul u kthye pas Kupës së Botës, javën përpara se të fillonim Premier League. Ne kemi së bashku dy muaj, apo më shumë, por kurrë nuk më ka thënë se dëshiron të largohet, asnjëherë.

Unë mund të komentoj vetëm atë që është e vërtetë për mua, jo atë që kam lexuar, që dëgjoj. E përsëris, Pogba kurrë nuk më ka thënë se dëshiron të largohet. Nëse ai nuk më thotë se dëshiron të largohet, kjo është për shkak se dëshiron të qëndrojë. Ky është përfundimi im”.

Ndërsa Pogba është në kontratë deri në vitin 2021, Manchester United rrezikon të shohë Luke Shaë, Juan Mata dhe Ander Herrera të largohen falas, pasi kontratat e tyre mbarojnë në fund të sezonit.

Por, Mourinho, është i bindur se klubi mund t’i bindë ata, që të rinovojnë: “Unë shpresoj se ata do të qëndrojnë. Ne patëm një situatë të ngjashme sezonin e kaluar në lidhje me Marouane Fellaini dhe gjithmonë thashë se shpresoj të qëndrojë. Dhe ai qëndroi. Po them të njëjtën gjë: unë shpresoj që ata të qëndrojnë. Natyrisht, jam i lumtur me lojtarët në fjalë”.