Fakte interesante rreth votimit pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga eurodeputetët

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten Pro, liberalizimit të vizave për Kosovën. Pro heqjes së vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj kanë votuar 420 deputetë të Parlamentit Evropian, 186 ishin kundër dhe 22 abstenuan. Ju sjellim disa fakte interesante rreth votës në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën.

1. Shumica e deputetëve nga vendet që e njohin Kosovën kanë votuar Pro.

2. Deputetët nga Rumania dhe Sllovakia kanë dhënë më shumë vota Pro se sa Kundër.

3. Nga vendet që e njohin Kosovën, Franca dhe Holanda kanë dhënë më shumë vota Kundër se sa Pro.

4. Nga shumë vende që nuk e njohin Kosovën, votat Pro kanë ardhur kryesisht nga deputetë të së majtës, socialdemokratët dhe të gjelbrit, sidomos nga Greqia, Portugalia dhe Spanja.

5. Grupi i të gjelbërve ka qenë i njesuar për dhënien e votës Pro, pavarësisht prejardhjes së deputetit.

6. Grupi i të djathtëve populistë ENF (Europe of Nations and Freedom) ka qenë në unison për dhënien e votës Kundër, pavarësisht prejardhjes së deputetit.

Kujtojmë se pas kalimit edhe të kësaj faze, Kosovës do t’i duhet të kalojë edhe një fazë tjetër tejet të rëndësishme, që është ajo e Këshillit të Ministrave e në të cilën duhet të sigurohet shumica e cilësuar e votave të shteteve anëtare, shkruan Telegrafi. Sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, mbledhja e Këshillit të Ministrave mund të mbahet muajin e ardhshëm. Këtu mund të shikoni mënyrën se si kanë votuar shtetet veç e veç, Pro dhe Kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.