Gjynah të ankohesh nga Edi Rama!

Kanë kaluar tashmë 5 vite që kur Edi Rama erdhi në pushtet me platformën e tij të “Rilindjes”, sipas së cilës Shqipëria do të shndërrohej krejtësisht në një “Borëbardhë” të rajonit dhe Europës.

Dhe në fakt ja doli!

 Premtoi  300 mijë vende pune për mandatin e parë, por përzuri nga vendi më shumë se kaq shqiptarë që zgjodhën emigrimin, sepse jeta këtu u bë vit pas viti më e papërballueshme. Nga ana tjetër në mediat që kontrollohen prej tij dhe veçanërisht në televizionin e tij privat, ERTV, “punë” ka sa të duash. Kronika nga zyrat luksoze të punësimit bombardojnë shqiptarët gati çdo ditë, në nga ekranet e Rilindjes.

Premtoi se do të mbyllte “rrugët e lëna rrugëve” nga qeveria Berisha, por asnjë kilometër nuk ka shtruar realisht. Ama në ERTV bëhet nami me autostrada në 3D!

E njëjta gjë për “shëndetësinë falas”, Arsimin, shtresat në nevojë etj, etj. Doni spitale e shkolla të reja, hapni ERTV e kryeministrit në aparatin tuaj celular dhe keni aty sa të doni në 3 dimensione, edhe më të bukura se ato në Gjermani.

Në foton e mësipërme, shfaqet një njeri, i cili është duke ngrënë një grusht pilaf, kurse pulën e shijon duke e parë në ekranin e celularit.

Ky është thelbi i “Rilindjes”, që ka instaluar Edi Rama për shqiptarët prej 5 vitesh; Punë, rrugë e mirëqenie virtuale për të tërë!

Është gjynah që të ankohesh nga Edi Rama; Shqiptarët i kanë të gjitha kushtet si një evropian...mjafton që të hapin celularin, Facebook-un dhe të `jetojnë` ERTV-ë.