Armand Duka reagon për humbjen në Skoci dhe për kritikat ndaj Panuccit

Humbja në Skoci ka lënë një shije të hidhur te tifozët kuqezi, apo edhe në mbarë opinionin sportiv në vendin tonë, shkruan Syri.net.

Tifozë në përgjithësi dhe disa prej analistëve dhe specialistëve sportivë kanë kritikuar lojën e kombëtares sonë dhe veçanërisht trajnerin Christian Panucci.

Në lidhje me kritikat e shumta, ka reaguar presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në një postim në faqen e tij në Facebook ka deklaruar se humbja nuk duhet të trajtohet si tragjedi.

Më poshtë mund të shihni reagimin e plotë të kreut të FSHF-së.

“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tre pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi.

Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet ti japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.

Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt.

Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”.