VIDEO/ Kapiten në moshën 52-vjeçare. Presidenti i shtetit luan titullar me kombëtaren

Më 1 tetor do të festojë 52-vjetorin e tij, por duket se George Weah është mjaftueshëm në formë për të luajtur si titullar për thuajse 90 minuta të plota me fanellën e kombëtares së tij, që një natë më parë luajti ndaj Nigerisë, me këtë të fundit që fitoi 2-1.

Ish-sulmuesi i Paris SG dhe Milanit, aktualisht president i Liberisë, është rikthyer në një fushë të blertë plot 15 vite pas lamtumirës që i dha futbollit.

Këtë e ka bërë në një miqësore të organizuar pikërisht tërheqjen e fanellës me numrin 14, i preferuari i ish-fituesit të “Topit të Artë” në vitin 1995, pasi në Liberi konsiderohet sportisti më i famshëm i të gjitha kohërave.

Në fushën e blertë, Weah zbriti me shiritin e kapitenit, së bashku me lojtarë që i përkasin aktualisht formacionit të përfaqësueses së Liberisë.

E nisi si titullar dhe u zëvendësua vetëm në minutën e 79-të, shoqëruar me një ovacion të jashtëzakonshëm.

Për të pati duartrokitje sa herë kapte topin në fushën e stadiumit të kryeqytetit Monrovia, edhe pse nuk arriti të shënonte një gol, teksa 11-metërshin që mund ta ekzekutonte vetë ia la lojtarit Kpah Sherman.