Policia britanike në kërkim të 4 personave, dyshohet se fshihen në Shqipëri dhe Spanjë

Detektivët britanikë që shkatërruan një bandë droge me bazë në Bournemouth janë në kërkim të katër personave që janë pjesë e të njëjtit hetim, i cili zgjati një vit. Një prej të kërkuarve është shqiptar, me emrin Daut Danaj, 39 vjeç.

Gjashtë anëtarë të bandës, përfshirë edhe kreun e saj, u dënuan me burg javën e kaluar nga Gjykata e Kurorës në Bournemouth. Katër të tjerët u arrestuan nga policia në harkun e disa muajve, nga shtatori 2016 deri në janar 2017, por u lanë në hetim në gjendje të lirë, pasi paguan garancinë. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk u paraqit në gjyq, duke u larguar jashtë vendit dhe policia britanike beson se ata fshihen në Spanjë e Shqipëri.

Danaj është përshkruar në njoftimin e policisë si rreth 1.8 m i gjatë, trupmadh e me flokë të shkurtër ngjyrë kafe. Përveç Danajt, në kërkim janë edhe anglezët Jordan Phillips, 28 vjeç, Lawrence Windle, 29, dhe Lloyd Stokes, 32, të gjithë të akuzuar për shitje të drogave të forta, kryesisht kokainë./SYRI.NET

FOTOT:

I pari në foton lart: Daut Danaj.

Më poshtë, anglezët Jordan Phillips, 28 vjeç, Lawrence Windle, 29, dhe Lloyd Stokes, 32 vjeç.