VIDEO/ Berisha: Azemi e vuante që nuk shkonte dot si luftëtar në Kosovë, ma kërkonte çdo dy ditë!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka kujtuar sot momente të  veçanta nga bashkëpunimi që ai ka pasur me liderin e demokracisë, Azem Hajdarin, në simpoziumin në përkujtim të Heroit, vrarë 20 vjet më parë "nga shteti me uniforma", siç e cilësoi. Berisha veçoi momentin që lidhej me Kosovën dhe një kërkesë të pareshtur, që i bënte Azem Hajdari.

"Ai ishte një njeri i guximit të jashtëzakonshëm, - tha Berisha. -  Ai ishte njeri i vizionit të jashtëzakonshëm. Shpesh, e tha dikush këtu, lexoj dhe dëgjoj vlerësime jo aq, por ta kemi të qartë se ai ishte revolucioni demokratik më paqesor dhe më i rëndësishëm në historinë shqiptare me një moto: Liri, demokraci, Evropë. Gjeniale! Nuk kishte asgjë më motivuese se një moto e tillë.

Njeri i instikteve politike të jashtëzakonshme.

Duhet të kemi një gjë parasysh. Revolucioni i tyre ishte i bijve kundër etërve! Kjo ështe e vërteta. Gjërat duhen thënë. Nuk ishte revolucion i klasave të shtypura, por ishte revolucion i studentëve dhe atyre që iu bashkuan. Në këtë kontekst, ato kërkesa që u shpallën më datën 10, ora 9 të mëngjesit, në qytetin Studenti, ishte proklamata e bijve kundër etërve për të shembur sistemin komunist. Kjo vetëm në aparencë, sepse këtu është gjenialiteti dhe vizioni i tyre.

Pasi i shpallën kërkesat, u vërsulën drejt tyre etërit. Dhe u bënë parzmore në mbrojtje të tyre dhe për të mos lejuar që ushtrohej forcë. Ata ndërruan epoka dhe z. Meta e theksoi disa herë: ai ishte një lider epokal, sa ishte i zakonshëm, aq ishte i jashtëzakonshëm. Aq sa ishte i vrullshëm, aq dëgjonte dhe pranonte këshilla.

Atë e vranë, e ekzekutuan, shteti me uniforma. Dhe natyrisht, është joreale të mendosh se ai nuk kishte armiq por të mendosh se në qoftë se ka një njeri që e ruante komunikimin me të tjerët, askush më shumë se ai. Do t’jua them unë pse! Para se të gjithash e mbi të gjitha se ai kishte respekt për tjetrin! Këtu qëndron arsyej.  Ishte gjithmonë i gatshëm, i hapur për të diskutuar, për të biseduar.

Një tribun në çështjen kombëtare.

Në takimin e parë me Besnik Mustafën i them që “ne jemi kosovarë”, se ashtu jemi: Tropoja është malësi Gjakove - dhe pa Shqipëri të lirë, nuk ka Kosovë të lirë! Ishte problemi tek pluralizmi. Nuk besoj se te këtë pasur njeri, që të ketë vuajtur më shumë, të ketë vuajtur më shumë se ai se nuk po shkonte dot si luftëtar i thjeshtë në Kosovë! Një kërkesë që do të ma paraqiste me insistim çdo dy ditë: Vendi im është vetëm atje.

Nuk do të vazhdoj më gjatë, por do ta mbyll me atë që të gjithë biem dakord: Azem, ti je gjallë!" përfundoi ish-kryeministri.