Kryemadhi: Dekoderat, makutëria e radhës së Edi Ramës

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar mbylljen e sinjaleve televizive analoge dhe detyrimin e njerëzve për të blerë dekodera.

Gjatë një interviste për Vizion Plus, Kryemadhi tha se sipas vendimit të qeverisë ‘Berisha’, këto dekodera duhet të jepeshin falas për qytetarët.

Ajo tha se ky është një tjetër vendim makutërie i kryeministrit Edi Rama, që po rrjep shqiptarët. ‘Për mua kjo jo vetëm është e turpshme dhe makabër, por për mua kjo tregon që makutëria nuk ka fund e Edi Ramës, sepse ka një vendim qeverie të qeverisë ‘Berisha’, që ka qenë z. Ridvan Bode, ministër i Financave, të cilët kanë marrë përsipër që të paguheshin dekoderat nga buxheti i shtetit.

Ka qenë edhe një propozim, nuk e di a e ka realizuar apo jo qeveria Rama nga Milena Harito, për plotësimin e këtyre dekoderave dhe ajo që është më e rëndësishmja, në çdo vend të botës dekoderat janë paguar nga buxheti i shtetit.

Sikur, një milion familje shqiptare të ishin në Shqipëri, që nuk janë 1 milion, qeveria shqiptarë do paguante 5 milionë euro për të blerë dekodera dhe për t`ua falur të gjithë shqiptarëve.

Por, është kaq i pangopur dhe kaq pervers, saqë makutëria e tij shkon edhe te buka e fukarait.

Këtu nuk po diskutohet për të blerë një dekoder që kushton 3 euro, apo 4-5 dollarë dhe t’ua shesësh 28 mijë lekë apo 29 e 30 dollarë apo euro’, u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.