Funksionarët e BDI-së të mobilizuar për suksesin e referendumit

Shtabi Qendror i Bashkimit Demokratik për Integrim për referendumin sot në Shkup realizoi takim me të gjithë funksionarët nga radhët e kësaj partie.

Zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi, siç njofton Zyra për informim e BDI-së, bëri të ditur se ky takim me funksionarët ka për qëllim që sa më mirë të mobilizohen, që referendumi me 30 shtator të del i suksesshëm.

"Pra sot po vlerësohet në kuadër të takimit të parë fillimi i fushatës që dje e organizuam në të cilën ishte edhe kryetari i BDI-së, Ahmeti. Gjithashtu u diskutua edhe për agjendën e shtabit qendror, për agjendën e shtabeve komunale, të cilët do të kenë agjendë të posaçme të ndarë nga shtabi qendror dhe sigurisht fokusi ynë është që sa më shumë qytetarë të mobilizohen dhe të shprehin vullnetin e tyre, vullnet i cili nuk mungon te qytetarët tanë që referendumi i 30 shtatori të del i suksesshëm dhe me këtë të shënojmë një hap të suksesshëm një hap të rëndësishëm historik në drejtim të realizimit të qëllimeve edhe ajo është anëtarësimi i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian," u shpreh Ademi.

Shtabi Qendror për referendum i Bashkimit Demokratik për Integrim ka kërkuar nga deputetët, ministrat, kryetarët e komunave, sekretarët shtetërorë, drejtorët dhe të gjithë funksionarët që të dalin në teren në shërbim të qytetarëve dhe votës pro NATO dhe BE.

Shtabi Qendror i Bashkimit Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës për referendumin do të ketë aktivitete të përditshme dhe konkrete në drejtim të diskutimit me qytetarët duke biseduar për të gjitha benefitet të cilët do të rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës dhe për të gjitha ato qëllime interesa strategjike që kanë të bëjnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.