MYRTIS: Ballë për ballë me të shkuarën

Gjatë gërmimeve që bëheshin në vitin 1995 për ndërtimin e Metrosë së Athinës, mes të tjerave, në një varr masiv  në vendin e quajtur Qeramiko, u gjend dhe kafka e një fëmije e ruajtur në gjendje shumë të mirë. I takonte një  vajze që jetoi  në Athinë në shekullin e 5-të para Krishtit  dhe ishte vetëm 11 vjeç, kur vdiq prej etheve, të shkaktuara prej epidemisë së tifos, që kishte shpërthyer në atë periudhë në Athinë. Epidemia, me një periudhë të shkurtër tërheqjeje,  shpërtheu midis viteve 430 dhe 427 para Krishtit, duke i shkaktuar dëme të mëdha popullsisë së qytetit. Llogaritet se prej epidemisë vdiqën një ndër tre banorë të Athinës së asaj kohe, midis të cilëve edhe lideri politik i Athinës, Perikliu.

Fakti se kafka e vajzës së vogël  kishte ruajtur jo vetëm dhëmbët e përhershëm, por edhe një pjesë të dhëmbëve të qumështit – një fenomen që ka të bëjë me moshën e fëmijës –  u bë shkas që të lindte nisma e rikrijimit të fytyrës së vogëlushes nga Athina e lashtë.

Forma e fytyrës iu dha prej profesorit të asociuar  të laboratorit të Ortodoncisë  të Fakultetit  të Stomatologjisë  të Universitetit të Athinës, Manoli Papagrigoraki dhe rikrijimi i fytyrës u realizua falë bashkëpunimit të një numri kërkuesish dhe ekspertësh  - mjekë, skulptorë, arkeologë, përfaqësues të shkencave ekzakte, etj.

Vajzës së panjohur, që jetoi para 2500 vjetësh, iu dha emri Myrtidha –Myrtis, një emër gruaje shumë i përhapur në atë periudhë. Më 22 Maj 2006, kur  komunitetit shkencor iu komunikua  puna kërkimore në lidhje me analizën e ADN-së prej materialit dentar, e cila bënte fajtore, si shkak eventual të epidemisë në Athinë, tifon, pikërisht atëherë filloi edhe udhëtimi i Myrtis, i cili vazhdon edhe sot.

Fytyra e saj u bë e njohur gjithandej, në Greqi dhe jashtë saj, teksa rindërtimi i fytyrës së saj  i dha shkas një numri të madh kërkimesh shkencore, por edhe aktivitetesh kulturore dhe ekspozitash.

Por Myrtis, veç një arritjeje ndërdisiplinore shkencore, në vitin 2010 u shpall prej OKB-së ‘’ Mike e Objektivave të Mijëvjeçarit’’, duke marrë pjesë në fushatën e përbotshme informuese të OKB-së  me temë ‘’Mund t’ia dalim! Fund varfërisë’’.

Që atëherë, udhëton vazhdimisht, brenda dhe jashtë kufijve:

Si ambasadorja  11-vjeçare, nga Greqia e Lashtë, e luftës diakronike për mbrojtjen e fëmijëve, mbrojtjen e  shëndetit dhe të paqes.

Së shpejti e presim  edhe në Tiranë....