Banorët e varfër në Lushnjë ushqehen nga koshat e plehrave me ushqime të skaduara

Ushqimet e skaduara duhet të asgjësohen nga autoritetet përkatëse, por në Lushnjë ato hidhen në koshat e plehrave.

ABC News ka mësuar se shumë nga ato produkte po përdoren e konsumohen nga banorët e varfër.

Në etiketat e produkteve duket qartë data e skadencës dhe viti. Shumë nga ato afatin e përdorimit e kanë pasur deri në vitet 2016 – 2017.

Jashtë kameras banorët në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë tregojnë që sapo koshat e mbeturinave mbushen me ushqime, familjet në nevojë nxitojnë t’i marrin ato, kryesisht  detergjentet dhe ushqimet e paketuara.

Ata u druhen vetëm kutive të qumështit dhe çokollatave. I lënë në kosh pasi kanë frikë t’i konsumojnë.

Artikujt e tjerë karamelet, patatinat, pijet freskuese, lëngjet e frutave, apo pijet energjike në të shumtën e rasteve rrëmbehen sapo hidhen nga subjektet tregtare.

Nga ana tjetër autoritetet ligj zbatuese akoma nuk kanë marrë masa për kontrolle mbi subjektet tregtare në zonë.

Deri tani nuk ka asnjë njoftim nga AKU për asgjësimin e mallrave të skaduara të ushqimeve në Lushnjë.