Nevded e zbulon: Ja mënyra si e transferuam Ronaldon

Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nevded ka zbuluar se si bordi drejtues i klubit italian vendosi ta transferonin Cristiano Ronaldon nga Real Madridi.

Ai ka bërë të ditur se idenë fillimisht e kishte dhënë drejtori sportiv, Fabio Paratici.

Por, kur kishin dëgjuar për klauzolën e tij të largimit, ata ishin bindur se duhet ta bëjnë maksimumin për transferimin e tij.

Edhe pse ai nuk ka arritur ende të shënojë gol për skuadrën e tij të re në Serie A, Nevdedi është shprehur i sigurt se Ronaldo do t’i ndihmojë Juventusit për të triumfuar në Ligën e Kampionëve.

“Gjithçka filloi në kokën e drejtorit tonë sportiv, Paraticit. Ne ishim në shtëpi kur ai na i propozoi këtë ide mua dhe presidentit të klubit, Andrea Agnellit”, ka thënë Nevdedi.

“Na pëlqeu shumë kjo ide, ishim të emocionuar dhe e dinim se po e bënim gjënë e duhur. Kur dëgjuam për klauzolën e tij të largimit, e dinim se duhet të bënim maksimumin për ta transferuar atë”.

“Ky transferim ishte i nevojshëm për të shkuar një hap më tutje, pasi e kemi fituar titullin e Serie A-së shtatë herë radhazi. Tani, do të tentojmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, ky është synimi ynë”.