'Ligji ‘Fusha SH.P.K’ ka vdekur, Rama e Veliaj do përdorin marifete të tjera, nuk lejojmë asnjë kullë!'

Regjizori Kastriot Çipi ka deklaruar se përgjigja e Komisionit Europian në lidhje me ligjin për teatrin ka ekuivoke. Ai deklaroi se do të kërkohët nga BE që të shpjegojë më qartë qëndrimin e saj, pasi nga njëra anë thotë që nuk shkel MSA-në por nga ana tjetër cënon konkurrencën e lirë pasi firma ‘Fusha SH.P.K’ ishte parazgjedhur si fituese.

“Të shpjegojë në detaje qëndrimin se kjo letër ka ekuivoke, nga njëra anë thotë nuk shkel MSA-në dhe nga ana tjetër është për konkurrencën e lirë”, tha ai ndër të tjera duke shtuar se letrën e BE-së e shikon më shumë si një qokë për qeverinë.

Çipi, nga ana tjetër u tregua mjaft i qartë në fjalën e tij kur tha se pavarësisht qëndrimit të BE-së shembja e teatrit do të kundërshtohet me vendosmëri edhe nëse “BE thotë se ligji është i shkëlqyer”.

Shqiptarët sipas regjizorit duhet ta kuptojnë se BE nuk është e shqetësuar për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, identitetin e tyre apo se çfarë gjuhe flasin, por mjafton që kufijtë e BE-së të zgjerohen dhe të ruhet stabiliteti.

Kastriot Çipi theksoi se ligji aktual për teatrin është i vdekur dhe nuk ka më asnjë vlerë. Por ai shprehu shqetësimin se mundet që Veliaj dhe Rama të përdorin forma të tjera, që gjithsesi parashikojnë shembjen e Teatrit Kombëtar. Por kjo nuk do të lejohet në mënyrë kategorike. “Nuk lejojmë asnjë kullë aty”, tha ai, gjate nje interviste per Fax News.

“Ky ligj siç është ka rënë. Ky ligj nuk ka më asnjë vlerë. Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë, Rama është i paparashikueshëm, nuk heq dorë nga fitimi i parave. Dyshoj se ai do të gjejë një formulë tjetër por nuk ka për të qenë e lehtë. Nuk ka më ligj special ‘Fusha’ ai ligj nuk ekziston më.

Shqetësimi i BE-së nuk është trashëgimia kulturore, nuk është problmi i BE-së por i shqiptarëve. Bashkimi Europian është bashkim ekonomik mbi të gjitha dhe për këtë është i shqetësuar për mungesën e konkurrencës tek ligji special Fusha, sepse është paracaktuar fituesi.

Ta zëmë se do rikthehet ‘ligji Fusha ’ku nuk do të jetë ‘Fusha SHPK’ por do jetë një tjetër, nuk ndryshon gjë. Ne jemi kundër çdo projekti që tjetërson sado pak historinë. Do të vazhdojmë të insistojmë për një restaurim të plotë pavarësisht se çfarë thotë BE. Jemi mësuar ta shohim BE-në dhe SHBA-në si arbitër’, tha ai.

“Do të kërkojmë  përgjigjen nga BE, që a i shqetëson që një praktikë e qeverisë shqiptare bie ndesh me ligjet shqiptare. Deri dje BE-në në Shqipëri e ka përfaqësuar Vlahutin e cila ka qenë zëdhënëse e qeverisë në shumë çështje të forta.

Ambasadorët e huaj në Tiranë nuk janë engjëj, por duhet të kuptojmë që BE-ja është një bashkim ekonomik që kërkon zgjerimin e saj. Të huajt janë të interesuar për stabilitet”, shtoi ai.