U kërcënua me pistoletë në kokë, presidenti pret gazetarin Julian Shota

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me gazetarin  e ‘Report TV’, Julian Shota, i cili u kërcënua me jetë pak ditë më parë në krye të detyrës.

Presidenti pasi u njoh nga gazetari Shota me rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe dënoi me ashpërsi rastet tronditëse të ndodhura së fundmi, të kërcënimeve dhe agresioneve ndaj gazetarëve.

Ai e inkurajoi gazetarin Shota të vijojë misionin e tij, me guxim, pa u trembur e shantazhuar nga askush dhe shprehu solidarizimin e plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve.

Presidenti Meta përsëriti apelin e tij drejtuar institucioneve ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi për hetimin e zbardhjen e autorësisë dhe motiveve të këtyre sulmeve ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara, pasi siç theksoi ‘çdo vonesë në këtë drejtim do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes në Shqipëri’.

 ‘Kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala dhe moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare së gazetarit, Elvi Fundo, janë ngjarje tepër të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organet e sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, të venë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë’, - theksoi Presidenti Meta.

‘Raportimet se në dy vitet e fundit, të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse. Ndaj e nënvizoj se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike’, -u shpreh Presidenti Meta.