Kotzias: Atë që nuk e arritëm me Enver Hoxhën për detin, po e zgjidhim me Ramën!

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka paralajmëruar nga kryeqyteti norvegjez, Oslo, se vendi i tij është shumë afër një marrëveshje të madhe me Shqipërinë për çështjen aq shumë të pretenduar në dekada prej tyre; atë të rikonfigurimit të kufijve të detit.

Ajo që ra në sy në deklaratën e tij është se ministri i jashtëm grek, e cilëson çështjen e detit si një shans të madh që po i vjen vendit të tij nga qeveria Rama, që në kohën e Enver Hoxhës.

‘Përmes politikës proaktive të jashtme, ne jemi pranë zgjidhjes së problemeve të vjetra me Shqipërinë.

Shumë shpejt, besoj, ne do t’i përfundojmë negociatat për një paketë me dhjetë çështje. Kjo paketë përfshin përcaktimin e kufijve dhe zonave detare, dhe kështu me radhë.

Çështja është që këto probleme u krijuan dhe nuk u zgjidhën gjatë Luftës së Ftohtë. Shqipëria ishte nën regjimin izolacionist të Enver Hoxhës, kështu që nuk kishte shanse për të negociuar me të.

Prandaj, mendimi ynë ishte dhe ende është që t’i zgjidhim këto çështje duke marrë iniciativa’, tha Kotzias në takimin e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Norvegjisë, për akademikët e politikanët.