Ofertat e pa kërkuara dhe PPP –të: Në Shqipëri s`ka garë, produkti më i shtrenjtë nga sa vlen!

Korniza për Investim e Ballkanit Perëndimor ka nxjerrë së fundmi një raport të detajuar për projektet e Partneritetit Publik Privat në 6 vendet e rajonit.

Shqipëria është në krye të listës së vendeve të analizuara, edhe për shkak të faktit se është vendi me më shumë kontrata PPP që prej vitit 2001, plot 11 të tilla të përmbyllura, më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, raporton Scan.

Raporti është i dyti pas atij të 2014-ës, dhe në krahasim me atë vit, vetëm Shqipëria duket se ka ndryshuar në drejtim të PPP-ve, pasi në vendin tonë kontratat janë rritur.

Raporti vë theksin kryesisht te një ndër problematikat kryesore të kësaj forme financimi; ofertat e pa kërkuara, dhe në këtë rast Shqipëria nuk kishte si të mos ishte shembulli kryesor.

Në raport thuhet qartë se konkurrenca e të tjerëve në tender në rastin e Shqipërisë dëmtohet rëndë nga fakti që, kompania ofertuese merr një bonus shtesë në garë.

Por nga ana tjetër, në përfundimet e raportit thuhet qartë se, ofertat e pa kërkuara ka shumë pak gjasa që të prodhojnë në vepër që t`ia vlejë, pra që paratë e financuara të justifikojnë veprën publike.

Këtë problem e ka pranuare dhe vetë qeveria shqiptare që ka premtuar se ofertat e pa kërkuara do të jenë një skemë jo funksionale në vijim e aq më pak që të kenë avantazh në garë.