Propaganda qeveritare shpërndan leximin e gabuar të letrës së KE-së, çfarë thotë në të vërtetë

 

Orkestruesit e propagandës qeveritare kanë nxituar të përhapin për publikun sot letrën e KE-së, sigurisht sipas leximit që ata dëshirojnë që publiku t’i bëjë asaj. Orë më parë në disa medie, si “Top Channel” dhe “Balkanweb” ka qarkulluar lajmi se BE-ja ka dhënë dakordësinë për ndërtimin e teatrit.
Por çfarë thuhet në letrën e KE-së?

KE thekson se ligji për teatrin duhet amenduar dhe nuk jep një “OK” për këtë ligj. Në letër thuhet: Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”.

Pra sipas KE ky ligj duhet të rishikohet edhe njëherë. KE sqaron se për këtë duhet të merren autoritet shqiptare pasi nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit. Por megjithëse KE-ja kërkon amendimin e ligjit të Ramës, në letër vihet re një gjuhë diplomatike për të shprehur favorizimin e kompanisë “Fusha”, duke shmangur fjalë si “favorizim”, apo “korrupsion”.

Për letrën ka reaguar edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila është shprehur se Komisioni Europian nuk ka aprovuar prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ka publikuar letrën e KE-së.

 

Aleanca sqaron se Komisioni Evropian “fton qeverinë të amendojë” ligjin pasi e konsideron futjen e kompanisë në ligj si ndihmë paraprake, e cila thjesht do materializohej më vonë.

“Megjithëse letra konfirmon faktin që procesi është korruptiv, ajo është prova e rradhës se problemet e Shqipërisë do i zgjidhin shqiptarët e jo burokratët e huaj. Problemet madhore të këtij “ligji special”, që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave politike dhe institucionale të pushteteve të pavarura dhe qytetarëve privat, populli shqiptar do të duhet ti zgjidhë vetë.”, shprehet Aleanca. Ligji për teatrin pritet që të kalojë në parlament në datë 20 Shtator. Ai ishte parashikur për t’u votuar më 3 Shtator por u shty nga mazhoranca.