Nxënësit shqiptarë kapin rekordin në Europë... për pushimet e tejzgjatura

Shqipëria është vendi me më pak ditë shkolle në Europë, në ciklin e detyrueshëm të shkollimit, pra në atë 9—vjeçar dhe në gjimnaze. Këtë e thotë Komisioni Europian në një raport të posaçëm për edukimin në ciklin primar dhe atë dytësor në Europë, me titull: “Organizimi i kohës së shkollës në Europë”.

Sipas Brukselit, Shqipëria është kështu vendi me numrin më të ulët të ditëve të shkollës në Europë, vetëm 156 të tilla, pra edhe më pak se gjysma e vitit. Kjo do të thotë se, nxënësit në Shqipëri janë të detyruar të frekuentojnë shkollën në vetëm 42.7% të ditëve të vitit.

Mesatarja e vendeve të Europës varion nga 170 deri në 190 ditë, ndërkohë që në kontinentin e vjetër rekordin për më shumë ditë shkolle e mban Danimarka, që është edhe një prej vendeve më të zhvilluara, jo vetëm të Europës por edhe të globit, shkruan scan.tv.

Në Danimarkë nxënësit shkojnë në shkollë 200 ditë të vitit. Për të pasur një ide më të qartë të dembelizmit të shqiptarëve në drejtim të arsimit, mjafton të shohim këtë grafik, ku Shqipëria dallon qartë nga të gjitha vendet e tjera të Europës, e madje edhe nga fqinjët rajonalë.

Kjo vjen kryesisht si pasojë e pushimeve të tejzgjatura verore, më shumë se 11 javë në vendin tonë. E madje, edhe për këtë mbajmë rekord në Europë, siç e tregon edhe harta.

Një tjetër arsye është edhe numri i lartë i festave gjatë vitit shkollor. Pas raportimeve se 90% e shqiptarëve nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë vitit të shkuar, një tjetër rekord negativ hedh kështu baltë mbi shoqërinë shqiptare, duke qenë se arsimi është guri i parë drejt mirëqenies, zhvillimit shoqëror dhe një të ardhmeje më të mirë.