Premtimet dhe angazhimet sekrete të Edi Ramës ndaj Greqisë

Greqia pavarësisht se cila forcë politike ka qenë në pushtet, nuk është kthyer asnjëherë në një penguese serioze në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Por së fundmi, nga vetë kryeministri i vendit tonë fqinj, erdhi një kërcënim i hapur; Nëse qeveria shqiptare nuk u përmbahet angazhimeve që ka marrë kundrejt kërkesave të Greqisë, atëherë nuk ka hapje të negociatave.

Deklarta u bë ditën e djeshme në një takim me gazetarët, ku kryeministri Aleksis Cipras, la për të kuptuar se loja e Shqipërisë është lexuar mirë dhe vendi i tij ka marrë maksimumin.

"Negociatat po vijojnë në nivel ministrish dhe ecuria e tyre është e mirë. Sigurisht që është bërë e qartë, se Greqia do të  mbështesë kapitujt e hapjes së negociatave për anëtarësim, vetëm nëse vendi ynë fqinj do të përmbushë angazhimet e marra", deklaroi Cipras.
Këtë angazhim të Shqipërisë ai e shpjegoi në radhë të parë me kufijtë detarë mes dy vendeve, por edhe për tekstet shkollore,  varrezat e ushtarëve greke në Shqipëri dhe sidomos me  reformat në lidhje me të drejtat e pakicës greke në vendin tonë.

Ky është një vargan i gjatë përfitimesh nga ana Greqisë, të deklaruara qartë nga kryeministri Cipras si angazhime të premtuara, e ndoshta edhe të firmosura nga qeveria Rama.

Por ende nuk dihet se çfarë përfiton vendi ynë nga e ashtuquajtura marrëveshje “historike”, Bushati-Kotzias, e cila pritet të firmoset se shpejti edhe nga Rama-Cipras.

Pavarësisht nga angazhimet dhe premtimet e shumta të Ramës ndaj grekëve, i pyetur për çështjen çame kryeministri Cipras u tregua i prerë.
"Disa këmbëngulin në futjen e kësaj teme nga dritarja. Por kjo çështje nuk ekziston", tha ai.

Gjithashtu  kryeministri grek vuri në dukje, se Greqia është duke lëvizur me një strategji të qartë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve, por se as që mendohet se mund të bëjë lëshime, në linjat kryesore kombëtare. 

Ndërkohë shqiptarët janë në një terr të plotë për këto angazhime dhe premtime sekrete të Edi Ramës, në emër dhe kurriz të Shqipërisë.