Liga e Kombeve, 1 milion euro premio Kombëtares

Mbrëmë në hotelin “Emerlad”, kryetari i Kuvendit i Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Kombëtaren kosovare për t'i dhënë mbështetje dhe uruar suksese në sfidën e sotme me Ishujt Faroe, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Me këtë rast kryeparlamentari Veseli është shprehur: "Unë dhe institucioni që drejtoj, por edhe organet tjera qeveritare vazhdimisht e kemi mbështetur Federatën e Futbollit dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm.

Njëkohësisht dua të inkurajoj Kombëtaren tonë që ka nisur mirë kualifikimet për Ligën e Kombeve që të vazhdojë me angazhim maksimal dhe fusha e gjelbër është vendi ku ju mund të tregoni, dëshmoni dhe ta prezantoni në mënyrën më të mirë shtetin e Kosovës.

Jo vetëm  unë, por e tërë Kosova ka besim te ju dhe ju do të mund të arrini kualifikimin, ndërsa unë premtoj se me kualifikimin tuaj do t’ju shpërblejmë me 1 milion euro. Ju sigurojë se nesër do ta keni mbështetjen e shqiptarëve kudo që janë”.