Ansi Agolli: Jam në formë, s’e di a do luaj ndaj Skocisë

Kapiteni Ansi Agolli ishte i pranishëm në konferencën për shtyp së bashku me trajnerin Panucci, ku foli për sfidën e nesërme ndaj Skocisë të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Mbrojtësi tregoi se dëshira e tij është të luaj titullar, por gjithsesi e rëndësishme është që skuadra të marrë rezultat pozitiv.

35-vjeçari nuk nguroi të komplimentonte edhe debutimin e Binakut dhe Gavazajt me fanellën e Kombëtares.

Të vjen keq që del në konferencën për shtyp si kapiten, por nuk je në fushë?

Nuk më vjen keq që jam në konferencë. Çdo kapiten e ka për detyrë të vijë këtu. Trajneri e tha mjaft saktë, nuk kam çfarë përsëris. Normale që çdo lojtar vjen në ekipi kombëtar për të luajtur. Zgjidhjet i bën trajner. Rëndësi ka që skuadra të ecë përpara dhe nesër të marrë rezultat pozitiv.

Ke luajtur kundër Cëlltikut me Qarabagun, a ja ke transmetuar shokëve të skuadrës si është atmosfera në stadium?

Shokët e skuadrës e kanë parasysh çfarë atmosfere do jetë nesër në stadium. Do jetë mjaft e mirë për çdo futbollist që do të luajë nesër në stadium. Duhet ta shfrytëzojmë pozitivisht në lojë dhe të japim më të mirën.

Formacioni nuk bëhet i ditur, a do të jesh në fushë?

Kam bërë maksimumin tim. Besoj jam në një formë të mirë. Nuk e di, trajneri e tha që akoma nuk është zgjedhur formacioni, le të presim. Shpresoj të jem.

Çfarë mendimi ke për Binakun?

Mendoj që ka bërë paraqitje mjaft të mirë. Më bëri përshtypje adaptimi me grupin në një kohë mjaft të shkurtër. Kjo është diçka pozitive. Po kështu edhe Gavazaj, sepse edhe ai e kishte ndeshjen e parë. E kaluan ketë provë. Fjalët janë mjaft pozitive.