VIDEO/ Tifozët kuqezi mbështesin kombëtaren me këngën ‘Besa-Besë’

Kuqezinjtë tanë kanë mbërritur në Gllasgou me moral të lartë përpara supersfidës me Skocinë.

Kombëtarja ka mbërritur sot në tokën britanike ku do të akomodohet dhe për të kryer seancën e fundit stërvitore përpara se të zbresin në “Hampden Park” në orën 20:45.

Por ekipit nuk do t’i mungojë mbështetja e zjarrtë e fansave tanë. Tifogrupi “TKZ” (Tifozët Kuq e zi) ka publikuar një video ku këndojnë së bashku këngën patriotike “Besa Besë”.

Në këtë mënyrë ata i japin zemër dhe mbështetje futbollistëve tanë për të mos u stepur përballë kundërshtarit, i cili vjen me mungesa të mëdha në këtë ndeshje.

Kjo është ndeshja e dytë e kuqezinjve në Ligën e Kombeve (Grupi 1, Liga C), teksa të parën e fituan të premten e kaluar në “Elbasan Arena” me Izraelin me rezultatin minimal 1-0.