FOTO/ Në Durrës, Meta takon Hashim Thaçin, mikun e Vuçiç

Ndërsa në Kosovë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një vizitë 2 ditore, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavën.

E në vizitën e tij në bregdetin shqiptar, Thaçi, i njohur kohët e fundit edhe si miku i Vuçiç, për shkak të debatit për kufinjtë e Kosovës, ka drekuar me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Meta në Facebook:

Ja çfarë shkruan Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta:

Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët.

Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë - Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme.