VIDEO/ Brazil superior në Amerikë, mjaftojnë Firmino e Neymar

Brazili ka lënë pas zhgënjimin e Kupës së Botës dhe ka fituar pa probleme 2-0 miqësoren kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në MetLife Stadium në East Rutherford, New Jersey.

Amerikanët e nisën me një ekip me moshë mesatare shumë të re, ku Bobby Wood ishte më i moshuari, vetëm 25 vjeç, ndërsa Brazili ishte po ai që u eliminua nga Belgjika në Kupën e Botës.

Që në minutën e 11-të erdhi goli i parë brazilian, me Douglas Costa që dha një kros perfekt nga e djathta dhe Roberto Firmino nuk gaboi, duke shënuar.

Douglas Costa bëri lëmsh mbrojtjen amerikane me depërtimet e tij dhe Neymar humbi raste të mira për shënim, por edhe amerikanët patën dy mundësi të shkëlqyera në fundin e pjesës së parë.

Gjithsesi, dominimi brazilian ishte i qartë dhe një faull ndaj Fabinho-s bëri që arbitri të fishkëllente një 11-metërsh të transformuar nga Neymar. Në pjesën e dytë nuk pati më gola, por vetëm zëvendësime të shumta, ndërkohë që debutuan me fanellën e Brazilit Arthur, Lucas Paqueta, Everton e Richarlison.