Luis Enrique debuton në “Wembley”, Zvicra pret Islandën

Spanja do të kërkojë fitoren e parë ndaj Anglisë në një ndeshje kompetitive pas plot 68 vjetësh, kur dy skuadrat përfaqësuese të përballen në “Wembley”, në një takim të vlefshëm për Grupin e Katërt të Divizionit A, në Nations League.

Dy nga kombëtaret që renditen në dhjetëshen e parë të botës do të fillojnë kështu aventurën e tyre në aktivitetin më të ri kontinental në një duel të drejtpërdrejtë për të siguruar kualifikimin për në fazën gjysmëfinale të këtij kompeticioni, në një grup të hekurt që për nga fortësia mund të krahasohet shumë mirë me Grupin e Parë, ku siç dihet bëjnë pjesë Franca, Gjermania dhe Holanda.

Përveç Anglisë dhe Spanjës në këtë grup merr pjesë gjithashtu edhe Kroacia, që dy muaj më parë në Rusi u mund nga “blutë” e drejtuar nga Didier Deschamps, sidoqoftë nënkampionët e botës do të zbresin në fushë të martën në mbrëmje, në Elche, ku do të vizitojnë pikërisht ekipin e Luis Enrique-s.

Trajneri asturian ka bërë zgjedhjet e tij, duke lënë jashtë futbollistë si Jordi Alba, për t’u mbështetur te disa lojtarë që e njohin shumë mirë kampionatin anglez, si Marcos Alonso, Cesar Azpilicueta apo dhe Alvaro Morata. Mbi të gjitha “la furia roja” do të përpiqet të ringrihet pas zhgënjimit që solli natyrshëm eliminimi që në fazën e 1/8 në botërorin e fundit nga një kundërshtar si Rusia, rezultat që më pas shkaktoi edhe tërheqjen e njëpasnjëshme të emrave të tillë si Iniesta, Pique dhe David Silva nga kombëtarja spanjolle.

Eliminimi me vendin organizator në botërorin rus solli edhe rokadën në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, pasi tani përfaqësuesja iberike pozicionohet në vendin e 9, me vetëm 35 pikë më pak se “tre luanët”, që pas vendit të katërt në Kupën e Botës janë katapultuar drejt e në vendin e 6. Spanja numëron plot 10 ndeshje pa humbje jashtë fushe, megjithatë në përballjen e fundit ndërmjet tyre po në “Wembley” “demat” patën nevojë për një gol të Iago Aspas në 89′ dhe një tjetër të Isco-s në 96′ për të barazuar një takim që po e humbnin me diferencën e dy golave.

Takimi do të luhet në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga arbitri holandez Danny Makkelie, gjithsesi ndeshja ka ngjallur goxha interes për të parë reagimin e futbollistëve të drejtuar nga Gareth Southgate, me stekën që pas botërorit të fundit tashmë është ngritur shumë lart për përfaqësuesen e “tre luanëve”, që në fakt nuk humbet një ndeshje në ishull prej plot dy vjetësh e gjysmë, që nga disfata e pësuar në një takim miqësor në “Wembley”, nga Holanda.

Po në orën 20:45 në St. Gallen Zvicra do të presë Islandën, në një ndeshje të vlefshme për Grupin e Dytë të Divizionit A, grup ku bën pjesë gjithashtu edhe Belgjika, me “djajtë e kuq” që do të bëjnë debutimin në Nations League të martën në mbrëmje në Reykjavik përballë Islandës. “Ishullorët” bënë një figurë të mirë në botërorin e fundit dhe për pak sa nuk eliminuan që në fazën e grupeve edhe Argjentinën e Mesit, ndërsa përfaqësuesja helvete u eliminua që në fazën e 1/8 nga Suedia.

Duke patur parasysh formatin e këtij kompeticioni dhe praninë e Belgjikës në këtë grup është e kuptueshme që të dy ekipet do të bëjnë çmos për të fituar ndeshjen, gjithsesi vlen të theksohet fakti që Islanda ka humbur 5 dhe barazuar 1 në 6 përballjet që këto dy vende kanë patur në histori ndërmjet tyre, për më tepër që të gjitha sfida kompetitive.