Tarifat e makinave, pas BE, shënjestra e Trump është Japonia

Kërcënimi i tarifave për makinat është kthyer në axhendën e Donald Trump dhe Japonia mund të jetë objektivi i radhës. Në një bisedë të fundit me Wall Street Journal, Trump përshkroi marrëdhënien e tij të mirë me lidershipin e Japonisë,  por shtoi se kjo do të përfundojë kur ai t’i thotë se sa duhet të paguajnë.

Sipas analistëve, presidenti ka qejf të përfshihet në zënka tregtare. Megjithatë, analistët thonë se nëse marrëveshja e tregtisë së lirë e Amerikës së Veriut (NAFTA) nënshkruhet me Kanadanë dhe Meksikën, atëherë këto vende do të përjashtohen nga hetimi për makinat.

Duke marrë parasysh se edhe Bashkimi Europian është përjashtuar nga tarifa të tilla, Japonia mbetet shënjestra kryesore. Ekziston një hetim i Shteteve të Bashkuara për importet e makinave, për motive të sigurisë kombëtare. Nëse heq Meksikën, Kanadanë dhe BE-në, Japonia kthehet në shënjestrën e këtij hetimi, përcjell Scan.tv.

SHBA ka kërcënuar tarifa në mbi 25% për importet e makinave dhe pjesëve të tyre, përveç tarifave prej 25% për çelikun dhe 10% për aluminin. Disbalanca tregtare me Japoninë është e treta më e madhe ndër partnerët kryesor të SHBA, pas Kinës dhe Meksikës. Defiçiti prej 54 miliardë dollarë në automjete dhe pjesë makinash, përbën për ¾ e shifrës totale.

Rritja e tarifave do të ishte e dhimbshme për prodhuesit japonezë, përfshirë Toyota, Nissan dhe Honda, pasi Amerika është tregu kryesor i tyre. Tarifat do të dëmtonin gjithashtu ekonominë japoneze, pasi eksportet e automjeteve zënë peshën më të madhe në total.