Gafa më e madhe e futbollit/ Ky klub refuzoi Messin kur ishte 13 vjeç

Një ish-lojtar i klubit argjentinas të River Plejtit, Eduard Abrahamian, ka treguar ditët e fundit një prapaskenë të shumë viteve më parë.

Bëhet fjalë për “yllin” e futbollit, Lionel Mesi. Në vitin 2000 kur Mesi ka qenë 13-vjeç ka shkuar te skuadra argjentinase për të bërë provë, por ata nuk e kanë pranuar.

Ndoshta një gjë e çuditshme që të refuzosh lojtarin i cili më vonë u cilësua si “alien” i futbollit.

Arsyet e refuzimit si dhe të gjithë prapaskenën e ka rrëfyer pikërisht ish-lojtari i River Plejtit, Abrahamian, i cili ka thënë:

“Drejtuesit duhet të flisnin me të atin për ta sjellë atë në klub. Unë e dëshiroja Mesin te Riveri, por drejtuesit duhet të akomodonin të atin dhe familjen e tij. Nuk mund të shohësh çdo ditë një lojtar si Leo, i cili bënte diferencën dhe ishte i jashtëzakonshëm.

Ai luante futboll me gëzim dhe freski, por kishte disa gjëra që duhet të zgjidheshin. Isha i bindur, që ai mund të luante në nivele të larta dhe i thashë klubit që lojtari ka cilësi të mëdha, por ata më thanë që kanë disa lojtarë si ai në ekip.

Riveri nuk e kuptoi që investimi për të ishte pothuajse asgjë. Kur Boka Zhuniors investoi te Maradona, ai luante në kategorinë e parë me Argjentina Zhuniors.

Por, Boka investoi te Diego dhe pagoi për të dhe Riveri duhet të kishte bërë të njëjtën gjë me Mesin”.