Shkëmbimi i territoreve, propozim për luftë?!

 Kur bëhet fjalë për shkëmbimin e supozuar të territoreve midis Kosovës e Serbisë, varet se kë pyet.

Ideja duket e thjeshtë. Lugina e Preshevës në Serbinë jugore, ku shumica e popullsisë është shqiptare, do t’i bashkohej Kosovës. Në shkëmbim, Serbia do të rimerrte kontrollin e plotë mbi zonën me shumicë serbe në veri të lumit Ibër, i cili kalon përmes Mitrovicës.

Fundi i bllokimit?

Propozuesit thonë se shkëmbi i territoreve mund t’i japë fund ngërçit që vazhdon prej dhjetë vjetësh, që kur Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia. ‘Ndryshimi i kufijve mund të mos shijojë mirë, por ka shumë që e konsiderojnë si zgjidhje praktike’, thotë James Ker-Lindsay, specialist për Ballkanin në at the Universitetin Ekonomik të Londrës.

‘Sikur të ketë marrëveshje konsensuale midis dy palëve, do të hapej rruga për normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës dhe do të lejonte që Kosova më në fund të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara’. Por ende pa u artikuluar mirë, ideja ka marrë kritika të forta. Ballkani Perëndimor përjetoi ndryshime të mëdha kufijsh në vitet ’90. Mbi 100 mijë njerëz vdiqën dhe miliona u shpërngulën për shkak të konflikteve me shtysë etnike. Recetë për konflikt? Paddy Ashdoën i pa pasojat në Bosnjë, si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar. Ai është bashkautor i një apeli për shefen e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, të shuajë çdo bisedë për shkëmbim territoresh. ‘Lëvizja e kufijve nuk do të zgjidhë përçarjet por do t’i thellojë ato’, thotë letra që paralajmëron se politikanë nacionalistë mund ta përdorin shkëmbimin e territorit për të nxitur ndarjen e Bosnjës.

‘Paqja e qëndrueshme mund të vijë vetëm kur të mësohemi të jetojmë në komunitete multietnike në vend që të ribëjmë kufijtë për të krijuar komunitete monoetnike. Nuk ka politikë me më tepër gjasa që të na kthejë te përçarjet dhe konfliktet në Ballkan se sa kjo që po përkrahin tani disa’.

Mogherini ka një rol kyç për të luajtur, pasi drejton bisedimet e normalizimit në Bruksel midis Vuçiç e Thaçit. Pa përmendur shkëmbime territoresh, ajo u ka bërë thirrje dy palëve të sheshojnë mosmarrëveshjet. ‘Ka ardhur koha t’i japim fund konfliktit’, tha ajo të hënën.

‘Kam besim se presidentët Vuçiç e Thaçi do të arrijnë në një marrëveshje detyruese ligjërisht për normalizimin e marrëdhënieve dhe se kjo marrëveshje do të jetë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe do të ndihmojë për stabilitetin e gjithë rajonit’.

Brukseli është 'kyçi' për Kosovën e Serbinë Parardhësja e zonjës Mogherini, Cathy Ashton, ishte ajo që nis bisedimet e normalizimit. Ajo tha për BBC se të dy presidentët po përpiqeshin të arrinin në një konkluzion por miratimi ndërkombëtar do të ishte kyç për çdo marrëveshje.

‘Kyçi për zgjidhjen është mënyra se si do të përgjigjet Brukseli. Do të shohin Berlinin e do të flasin me Parisin e të tjerët. Në fund, gjithçka bëhet për anëtarësinë në BE të të dyve’. Gjermania e ka kundërshtuar fort ndryshimin e kufijve, por nuk ka përkrahjen e vendeve të tjera të BE, ndërkohë që Britania është e angazhuar.

Nuk përbën habi që komisioneri i BE për zgjerim, Johannes Hahn, ka folur për një ‘moment historik’ për Serbinë e Kosovën. Shqetësimet e brendshme janë një tjetër çështje. Nacionalistët në të dy vendet hezitojnë të bëjnë marrëveshje që i jep avantazhe palës tjetër. Ish-komandanti i UÇK-së dhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar me forcë, duke thënë se ndryshimi i kufijve të çon drejt luftës. Ndërkaq, serbët etnikë që jetojnë në jug të Ibrit shqetësohen se do të braktisen nëse veriu i jepet Serbisë.

Një diplomat evropian tha për BBC se shkëmbimi i territoreve ishte ‘serioz nga pala serbe’ por mungesa e unitetit në Prishtinë mund të jetë problem. ‘Thaçi ka ecur solo deri tani, ai nuk ka dhënë argumente që të bindë njerëzit. Mund të jetë një propozim tërheqës, por ai duhet ta shesë atë’. SHBA ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pengesë për çfarëdo marrëveshje dypalëshe. Qëndrimi i aleatit të Serbisë, Rusisë, është më i vështirë të matet.

Presidenti Vladimir Putin, do të vizitojë Beogradin muajin e ardhshëm. Pse tani? Ka përfitime domethënëse për të dyja palët nëse arrijnë një marrëveshje. Kosova më në fund mund të njihet nga 80 e ca vendet që kanë refuzuar të njohin legjitimitetin e saj. Serbia do të përmbushte një kusht kyç për anëtarësimin në BE. Me Maqedoninë e Greqinë që sheshojnë mosmarrëveshjen e gjatë mes tyre, ky është momenti për të zgjidhur një tjetër rebus ballkanik. Për Kosovën e Serbinë, dera është e hapur.

Marrë nga BBC-Përgatiti: SYRI.net