Antiterrori bën ‘terror’, shoqëron 200 persona para ndeshjes Shqipëri-Izrael në Elbasan

Ndeshja Shqipëri-Izrael që do të luhet sot në Elbasan ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit. Mësohet se 200 persona në gjithë vendin janë shoqëruar nga Antiterrori për verifikim.

Mësohet gjithashtu se personat e shoqëruar janë me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa janë të dyshimtë për rrezik shoqëror.

Siç u bë e ditur edhe dje shkruan ‘Balkanweb’, rreth 670 forca policie do të jenë në dispozicion të ndeshjes Shqipëri-Izrael që nis sot në orën 20:45, në Stadiumin “Elbasan Arena”.

Në këto shërbime janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia antieksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale, Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara.