Vizita e Vuçiç në Kosovë, serbët stolisin me flamujt e tyre urën e Ujmanit

Pavarësisht urdhëresës së autorteteve kosovare se Presidentit serb Aleksandër Vuçiç i ndalohet vizita tek liqeni i Ujmanit, serbët kanë nisur me vrull përgatitjet për ta pritur.

FaktePlus ka siguruar fotografi të minutës së fundit, ku shihen punëtorë serbë duke pastruar ambientin rreth Ujmanit dhe stolisur me flamuj të shtetit serb.

E në rast se Vuçiqi nuk respekton vendimin e Prishtinës zyrtare, forcat e Policisë së Kosovës thonë se do të veprojnë sipas autorizimeve ligjore.

FaktePlus e posedon urdhëresën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku i ka dhënë leje presidentit serb që të hyjë në Kosovë, por ku ia ndalon vizitën te Ujmani.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç duhet të tregojë përse dëshiron ta vizitojë Ujmanin gjatë qëndrimit të tij të parashikuar për fundjavë në Kosovë. Pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, dhe njoftimit se Vuçiqi nuk pranon takim sot me palën kosovare, Pacolli nga Brukseli ka thënë se Vuçiçi është i mirëseardhur në Kosovë, por duhet të arsyetojë vizitën.

“Ai është i mirëseardhur në Kosovë. Çdo herë kur do mund të vijë në Kosovë. Nuk dua të paragjykoj asgjë, por nuk shoh arsye pse duhet të vizitohet në këtë fazë të dialogut të vizitohet Ujmani, kur e dimë se s’ka asnjë qendër urbanistike aty. Çdo vizitë duhet të ketë një arsye, një bazë. Kur të arsyetohet vizita e tij nuk do të jemi të ngurtë në këtë. Nuk kemi asgjë kundër vizitës së tij, por është një pikë që Vuçiqi përmendi së fundmi vizitën në liqenin artificial dhe nuk e dimë asnjë arsye përse të vizitohet kjo pjesë”, ka thënë Pacolli në Bruksel.