Rama e pranon më në fund: Kryetarët e PS-së në rrethe, sekserë punësimesh

Kryeministri, Edi Ramma, pasi i shpalli luftë të egër atyre që kanë mbetur në administratë nga ish aleatët si LSI, ka pranuar më në fund një fenomen që ka lulëzuar brenda partisë së tij.

Në Asamblenë Kombëtare të PS që vazhdon punimet  Rama lëshoi një deklaratë të fortë për drejtuesit e kësaj partie në rrethe, duke thënë që shumica e tyre ka braktisur detyrën dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësime.

“Të themi një të vërtetë me të cilën duhet të merremi duke filluar nga e hënë. Në territor partia është larg së qeni partia që duam në sfidat që do kemi më pas, shumica e drejtuesve tanë në territor e kanë braktisur detyrën dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësime. Kjo është e patolerueshme ndaj betimit që ne kemi bërë për luftën për ta çuar tepsinë për skrap. Duhet të nisim menjëherë një proces thellimi për të qenë sa më pranë njerëzve, duke e prishur këtë paqe. Shqipëria nuk e ka luksin për të vazhduar të ketë brenda shtetit fole eksplozive për njerëz që nuk meritojnë të marrin rrogën nga taksapaguesit tanë”, tha Rama.