VIDEO/ Sesioni i ri, Presidenti Meta ka një thirrje për politikën

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka drejtuar një thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjshmëri, forcave politike shqiptare në vend në çelje të sesionit të ri parlamentar. I pyetur nga mediat sot gjatë një aktiviteti tek Drejtoria e Zjarrfikëseve, sesi do ta priste rrëzimin e dekretit të tij nga mazhoranca të ligjit për Teatrin, Meta tha:

Pyetje: Zoti Meta, si e komentoni shtyrjen nga Kuvendi të shqyrtimit të ligjit të dekretit tuaj për Teatrin Kombëtar?

Presidenti Meta: Kuvendi është sovran për të vendosur sipas procedurave e përgjegjësive të veta, dhe unë nuk kam asnjë koment për këtë çështje.

Pyetje: Në rast se mazhoranca do të rrëzojë dekretin në seancën e 20 shtatorit, cili do të jetë hapi që ju do të ndërmerrni?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj vendimet e Kuvendit, përveçse do të dëshiroj t’i uroj Kuvendit punë të mbarë, meqenëse sapo ka riçelur punimet dhe të theksoja rëndësinë e një bashkëpunimi sa më të përgjegjshëm, sidomos përsa u  takon të gjitha atyre detyrimeve dhe angazhimeve që ka Shqipëria edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.

Pyetje: Zoti Meta, opozita kërkon ndryshimin e Kushtetutës për të realizuar vetting-un edhe në politikë. Ju si e shihni këtë nismë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment për këto nisma, por shpresoj në një bashkëpunim dhe në një lexim të përbashkët të atyre sfidave, me të cilat duhet të përballohet politika shqiptare në mënyrë të bashkuar, për të garantuar pikërisht çeljen e negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm.

Pyetje: Për sa i përket hedhjes së shortit, Kryetari i Parlamentit zoti Gramoz Ruçi është shprehur se nëse ju  nuk e hidhni, do të jetë ai që do ta bëjë. A do ta hidhni shortin?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment. Unë kam zbatuar dhe do të zbatoj gjithnjë ato detyrime kushtetuese dhe ligjore që ka Presidenti.