Kalaja e Dimalit

 

Dimali ndodhet në afërsi të fshatit Krotinë, 20 km larg Apolonisë, në një zonë të valëzuar kodrinore pararendëse e malit të Shpiragut. Krahina përmendet në mesjetë për blegtorinë e zhvilluar ndërsa para qytetit ndodhet një fushë e gjerë e cila lejonte edhe zhvillimin e bujqësisë. Kodra ku ngrihet qyteti ka një fushëpamje të gjerë nga Mali Shpirag në Gylakion Pedhion (Fushën e Myzeqesë).
Këtu në veri të Dimalit, kalonte rruga Apoloni – Antipatrea – Luginë e Osumit (Apsus) prej ku dilej në Pellgun e Korçës dhe Maqedoni.

Fortifikimi
Kodra në të cilën shtrihej qyteti (144 m) rrafshohet lart në një pllajë të valëzuar me konture të çrregullta. Brenda kësaj pllaje ndodhet një sukë dy hektarëshe, 40 m e lartë, ku janë gjetur gjurmë të fundit periudhës bronzit – fillimit të asaj të hekurit.
Falë zhvillimit ekonomik dhe kushteve të përshtatshme Dimali në periudhën antike u kthye në qytet duke u pajisur me mure rrethuese të cilat e bënin atë, sipas Polibit, “një qytet që pandehej që s’e merrte dora e njeriut’ (inexpugnable) (Polyb.3 18 4-6). Gjurmë emplecton-i në skajet veriore dhe perëndimore të pllajës, ku terreni i rrafshët ja lë vendin shpateve të pjerrët, si dhe blloqe të rrëzuar në rrëzën jugore të kodrës tregojnë se muret rrethonin një sipërfaqe rreth 18 hektarëshe. Me rrethimin e ri suka u kthye në akropol dhe temenos të qytetit.Blloqet e murit prej guri gëlqeror kanë formë drejtkëndëshe, çka tregon për një muraturë izodomike ose pseudoizodomike.
Prashnikeri e konsideron këtë kala më të madhe dhe më të hershme se atë të Margëlliçit, bile thotë se mbi sipërfaqen e saj ka gjetur fragmente të qeramikës korintike. Ai flet gjithashtu mbi shtrirjen e qytetit dhe të akropolit duke e shoqëruar me një skic-ide të rilevimit topografik të kodrës ku ai bën përpjekje për të vendosur edhe planimetrinë e murit rrethues, gjurmat e të cilit ruhen ende aty-këtu mbi tokë.