E vrau shoku i fëmijërisë, iku për azil, por e kthyen. Historia e Indrit Pepës

Një ditë më parë Indrit Pepa, 27 vjeç do të ekzekutohej me breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë së tij në Mamurras.

Për këtë krim të rëndë është shpallur Agron Markola, si autori i dyshuar. Vrasja lidhet me një histori të nisur disa vite më parë në qendër të Mamurrasit.

Sipas vetë familjarëve viktima Indrit Pepa dhe autori i shpallur në kërkim Agron Markola njiheshin që në fëmijëri me njëri tjetrin, madje Indriti dhe Azis Markola vëllai i autorit të dyshuar kanë qenë shokë.

Gjithçka ka nisur 6 vite më parë në një lokal në Mamurras, moment kur viktima dhe Agron Markola debatojnë me njëri-tjetrin por gjithçka duket se përfundon me aq atë natë pasi Indriti i thotë Agronit që “ne jemi rritur bashkë, kemi veshur rrobat e njëri tjetrit e unë kam në shtëpi fotot tuaja”.

Por pas 3 ditësh Agron Markola dhe Azis Markola e kapin viktimën të cilin e rrahin me qytën e pistoletës duke e lënë në gjendje kome.

Konflikti rindizet një vit më pas, viktima (Indriti) po qëndronte përballë në një berberhane të qytetit me Azis Markolan. Indriti në atë kohë 20 vjeç për t’ju shmangur atij që e kishte lënë të vdekur një vit më parë del nga berberhana dhe shkon gjen nje armë zjarri tip pushkë të modifikuar e kthehet në berberhane me qëllimin për t’i marrë armën Azisit dhe për ta rrahur në mënyrë që të hakmerrej për atë që i kishte bërë një vit më parë.

Në momentin që Indriti futet në berberhane atë e kapin disa qytetarë për ta bllokuar nga frika se do qëllonte, sipas familjarëve pa dashje nga arma shkrepet një plumb i cili e plagos Azisin në të dyja këmbët. Nga ajo kohë familja e të ndjerit ka kërkuar disa herë të pajtohet me të dëmtuarin por pa e arritur qëllimin.

Drama bëhet akoma më e rëndë kur familjarët tregojnë se para 3 vitesh Indriti emigron në Gjermani dhe atje kërkon azil pasi në Shqipëri ndihej i rrezikuar. Atje viktima bëhet edhe baba i një vajze e cila sot është 3 vjece. Por pas 1 vit e gjysëm qëndrim në Gjermani Indriti deportohet nga shteti gjerman me arsyetimin se Shqipëria është vend i sigurt dhe se atij nuk i rrezikohet seriozisht jeta, shkruan Faxweb.

Vendimi ishte marrë  bazuar në përgjigjet që shteti shqiptar i ka dërguar shtetit gjerman. Por sesa e sigurtë ishte Shqipëria për Indrit Pepën ajo u pa mëngjesin e 6 shtatorit. Sipas dinamikës së treguar nga familja e tij mësohet viktima po pinte në një lokal ë bashku me disa miq të tij.

Rreth orës 04:00 ata dalin nga lokali dhe pasi shoqëron shokët e tij nëpër shtëpite e tyre, Indrit Pepa është nisur për në banesën e tij. Në momentin që ai ka zbritur nga makina për të hyrë në shtëpi ka venë re dy persona dhe menjëhere ka ikur me vrap për t’u larguar, por autorët të cilët sipas familjarëve kanë qenë 2 veta të armatosur i janë vënë pas duke qëlluar në drejtim të tij disa herë.

Si pasojë e plumbave të marre ne kembe Indriti Pepa është rrëzuar përdhe dhe autorët i janë afruar duke e qëlluar atë përsëri për tu siguruar që e kishin vrarë.  Sipas familjarëve autorët kanë qenë 2 veta të armatosur të cilët e kanë ndjekur dhe qëlluar viktimën.