Rama mbledh sot Asamblenë Kombëtare të PS, pritet vendimi për ndryshime ose jo në qeveri

Edi Rama, kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare  të PS-së. Mbledhja nis në ora 10:00 në ambjentet e hotelit “Mak–Tirana, ish-“Sheratoni” në Tiranë.

Në këtë mbledhje, siç zakonisht ka ndodhur, Rama ka njoftuar ndryshimet në qeverinë e tij dhe sot pritet që të ketë vendime, ca më tepër që në prag të zgjedhjeve vendore 2019. Por, zyrtarisht, mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së ka këtë rend dite, ku i mëshohet motos së fushatës së re të PS-së:

1.Raport i Llogaridhënies Publike të Qeverisë “Puna për Shqipërinë që duam”.

2. Raport i Grupit të Punës të Asamblesë Kombëtare të Partisë: “Mbi performancën e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në qeverisjen vendore”.

3.Udhëzim për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiake për zgjedhjet vendore 2019.

4. Udhëzim për ngritjen e strukturave koordinuese elektorale për zgjedhjet vendore 2019.

5. Raporti Kombëtar i Procesit të Bashkëqeverisjes deri më datë 31.08.2018.

6. Raport mbi punën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në dy sesionet e para të Legjislaturës së IX.

7. Informacion mbi punën e strukturave vendore të Partisë në përmbushje të detyrave të Axhendës Politike Vjetore të Partisë.

8. Udhëzim për fillimin e Fushatës Kombëtare “E gjithë vëmendja tek JU" dhe strategjia “Partia Socialiste e hapur për TY”.

9. E drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe ecuria e deritanishme e Reformës Zgjedhore.

10. Raport mbi gjendjen aktuale të Partisë digjitale.

11. Vendim për unifikimin e Regjistrit Digjital.

12. Të ndryshme.