‘Më thërrasin Damblla Gjiknuri!’-Iriqi bisedon me Damian Gjiknurin

Iriqi: - Ke deklaruar vjet se në shtator mbaron autostrada e Elbasanit. Erdhi shtatori.

Gjiknuri: - Autostrada ka mbaruar që në maj.

Iriqi: - Mos gënje.

Gjiknuri:- Shih në Facebook e Edi Ramës dhe do e gjesh gati, të bukur si nuse. Por jo në realitet. Në 3D ajo tani po funksionon. Kështu dhe baypassi i Fierit, i Vlorës, rruga e Arbërit, ajo e Thumanës. Thuajse gjithçka është ndërtuar. I thashë, o shef, lere ndonjë pa e shfaqur se ia kaluam dhe Amerikës. Po ku dëgjon ai. Një ditë nxori rrugën Nish-Beograd. Po kjo nuk është në Shqipëri, i thashë. E di, e di, më tha. Po ndërtohet në Serbi, por ndihmova unë që ata të marrin fonde nga Evropa.

Iriqi: - Sivjet plazhet kanë pasur ankesa për energjinë elektrike.

Gjiknuri: - E di, se kur ikin dritat bërtasin Damblla Gjiknuri. Nuk më quajnë më Damian. Bile dhe llambat e dikurshme me vajguri tani i thërrasin llamba me Gjiknuri. Por do e zgjidhim dhe këtë hall të popullit.

Iriqi: - Si?

Gjiknuri: - Hahaha, me 3D. I fut një video shefi dhe duartrokasin militantët. Socialistët janë aq të lidhur me partinë sa dhe po e shitëm të gjithë Shqipërinë ata thonë bravo. Komunizmi nuk është bindje, është virus i lopës së çmendur.

Iriq:- Po aeroportet në 3D do i bëni?

Gjiknuri: - Ne me këtë ekonomi copë edhe rrogat do i paguajmë me 3D. Më kujtohet kur isha i vogël e në treg nuk gjeje asnjë frut. E di si e zgjidhi Enveri këtë mungesë.

Iriqi: - Jo me 3D se nuk kishte internet atëherë.

Gjiknuri: - E zgjidhi me prodhimin e frutave prej plastike. U mbushën shtëpitë e shqiptarëve me mollë, dardha, fiq, portokalle, limona, bile dhe banane plastike. O, sa u gëzua populli. Njësoj si sot. Asnjë rrugë s’gjen në rrugë, ama populli socialist fle i lumtur se e sheh rrugën yll në internet.

Iriqi: - Me 3D do fitoni zgjedhjet?

Gjiknuri: - Zgjedhjet i kemi në xhep.

Iriqi: - Po vetë thua që ekonomia përtokë.

Gjiknuri: - Njerëzit nuk duan as drita, as ujë. Na duan ne. Janë si vlonjatët. U thua që uji më i ndotur ndodhet te marina. S’pyesin fare. Te marina lahen. Se ashtu janë rritur nga gjyshi e baba. Ndaj para 100 vitesh ishim në fund e prapë ngelëm në fund.

Iriq: - Damblla, më fal, Damian, faleminderit!