Loja e ndyrë Rama & Ahmetaj, për të përdorur deputetët e PS-së në aferat e tyre

Në seancën e fundit parlamentare pas një ndërhyrje nga vendi, ish-kryeministri Sali Berisha i tha deputetes socialiste Blerina Gjylameti; “Ju lutem shumë, mos më ndërhyni. Se ti ke firmos për bixhozin. Jam çudit me ty. Ke vënë firmën për ligjin e bixhozit. Je gruaja e parë që e ka bërë në histori…”. Me këto fjalë, Berisha ja la qartë për ta kuptuar deputetes rishtare të PS-së, që të kishte kujdes se po përdorej keqas dhe shëmtuar.

Pas kësaj deputetja e PS-së nuk replikoi më dhe kamerat, e kapën të menduar pas fjalëve të Berishës. Duket se gjatë këtyre ditëve dhe pas lajmeve të shumta se pas shtyrjes së ligjit të kumarit, Rama dhe Ahmetaj kanë interesa të fuqishme financiare, deputetja “naive”, është thelluar më tepër në këtë çështje dhe ka zbuluar, të paktën një pjesë nga e vërteta.

Ajo ka shfrytëzuar mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për ti kërkuar llogari kryetarit të grupit Gramoz Ruçi, se si qëndron çështja e projektligjit të “iniciuar” formalisht nga ajo vetë dhe pesë kolegë të tjerë. Debati i zbardhur nga Panorama për këtë çështje është ky;

“Blerina Gjylameti: Doja të dija, zoti Ruçi, a ka një qëndrim të Grupit Parlamentar socialist për shtyrjen e zbatimit të ligjit për lojërat e fatit?

Gramoz Ruçi: Nuk ka një qëndrim për momentin nga Grupi. Nisma ka qenë e juaja si deputetë.

Blerina Gjylameti: Nuk është nisma ime. Mua m’u kërkua nga Grupi im Parlamentar që ta mbështesja nismën. Unë e firmosa, sepse mendova se është propozim i koordinuar i maxhorancës, por meqenëse ju nuk keni një qëndrim për këtë nismë, atëherë unë do ta tërheq emrin tim nga ky propozim për mungesë informacioni.

Gramoz Ruçi: Kur nisma të shkojë në seancë, ne do të shprehim qëndrimin tonë, por tani nuk e kemi.

Arben Ahmetaj: Zbatimi i këtij ligji shoqërohet edhe me një faturë financiare. Nëse fillon të zbatohet që tani, në buxhet krijohet një gropë financiare prej 2.5 miliardë lekësh, prandaj është mirë që ta shtyjmë për një periudhë.

Blerina Gjylameti: Nëse qëllimet e shtyrjes lidhen me faturën financiare, përse nuk dilni dhe ta bëni një nismë të qeverisë ose nismë të Grupit tonë Parlamentar, por ajo shkon si nismë e gjashtë deputetëve?

Edi Rama: Mendoj se kjo çështje mori përgjigje. ”

Pra siç shihet nga ky debat, deputetja Blerina Gjylameti dhe me shumë gjasa edhe shumica e 5 deputetëve të tjerë, që kanë nënshkruar nismën për projektligjin që shtyn zbatimin e ligjit për bixhozit për 2 vjet, kanë rënë në kurthin e Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës. Janë përdorur të firmosin për një nismë që në fakt ka për autor Arben Ahmetajn. Ky i fundit i ka mashtruar deputetët duke u thënë se është nismë e grupit parlamentar të PS-së dhe maxhorancës. Por Gramoz Ruçi, si duket “i pa lobuar” nga bosët e kumarit, ka hequr nga vetja dhe nga grupi përgjegjësinë, duke ua kaluar topin sërish 6 deputetëve.

Siç del nga dialogu, Gjylameti ka firmosur pasi i është thënë se kjo shtyrje është një qëndrim i grupit parlamentar dhe mazhorancës në përgjithësi. Por Ruçi nxiton të deklarojë, se nuk ka asnjë nismë nga grupi dhe ajo është marrë nga vetë deputetët që kanë firmosur. Imagjinoni se si është ndier në këtë moment deputetja simpatike Gjylameti!

 Në këtë situatë bllofi të dekonspiruar, pavarësisht se ministri i Financave ka ndërhyrë për ta tejkaluar këtë situatë nga i doli hapur kurthi dhe përdorja ordinere që i ka bërë ai deputetes firmëtare, ajo tashmë e kthjellët për lojën që është bërë duke i përdorur firmën, ka deklaruar se tërhiqet përfundimisht nga kjo nismë.

Pas alibisë dhe përpëlitjeve të pasipa të Ahmetajt, se kjo shtyrje bëhet për efekte financiare, Rama ka nxituar ta mbyllë këtë skandal të turpshëm brenda rradhëve me fjalinë; mendoj se kjo çështje mori përgjigje.

Po çfarë përgjigje mori? Që Ahmetaj njëherë thotë se salloneve të lojrave të fatit u duhet shtyrë ligji, sepse kanë paguar qiratë e ambienteve ku janë, kurse Gjylamentit (më parë i kishte thënë, firmos se është qëndrim i grupit) pasi u kap me presh në dorë, thotë se kjo shtyrje bëhet pasi buxhetit i krijohet një gropë prej 2.5 miliard lekësh!

Por si është e vërteta e kësaj nisme?

Deputetët Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini, janë firmëtarët, por tani po del që prapa gjithë kësaj nuk ka një qëndrim politik të mazhorancës, por thjesht lojë interesash të mëdha të kryeministrit Rama dhe ministrit të financave Ahmetaj.

Edi Rama në muajt e parë sapo u bë kryeministër i shpalli luftë pa kompromis kumarit, që lulëzonte dhe vazhdon edhe më fortë, në çdo cep lagjeje ko vetëm në kryeqytet.

“Marrëzia e fundit” e pagëzoi operacioni e tij të parë, për të treguar se tani që ai është në krye të vendit, “ka shtet” dhe kumari nuk do të shkatërrojë më xhepat dhe familjet shqiptare. Dhe vërtet pas “Marrëzisë së fundit”, u goditën fillimisht disa kazino dhe sallone bastesh, por menjëherë pas kësaj, lulëzuan dhjetëra të tjera, veçse këtë herë me padronë të rinj.

“Ne jemi të vendosur dhe shumë të qartë për shtrirjen e këtij aktiviteti, për lidhjet që ky aktivitet ka pasur dhe vazhdon të luajë me politikën, për mbështetjen që ky aktivitet ka gjetur falë korruptimit të politikës dhe të gjithë zinxhirit të krimit ekonomik në policinë e shtetit. Përfshirja e politikës në këtë aktivitet në fakt lë të kuptohet qartë kur je përballë masivitetit të këtij akti që ka lindur dhe është zhvilluar si një industri e krimit në sytë e të gjithëve. Pa mbështetjen politike s`ka industri të krimit ekonomik”, deklaroi atëherë Rama.

Vini re! Rama thekson; mbështetjen që ky aktivitet, ka gjetur falë korruptimit të politikës.

Por përse pikërisht tani, pas më shumë se 3 vitesh tërhiqet kryeministri? Kanë hequr dorë nga korruptimi i politikës dhe qeveritarëve bosët e kumarit siç deklaronte rreth 3 vite më parë vetë ai? Në fund të fundit, cilat janë arsyet që ai, ashtu si në rastin e ligjit për importit të mbetjeve, i dorëzohet lobit të kumarit, duke mohuar 100% vetveten dhe ato që u premtoi shqiptarëve sa erdhi në pushtet?

 Natyrisht janë interesa të mëdha financiare, në një biznes që gjeneron qindra milion euro në vit. Arben Ahmetaj si mjeshtër i kësaj fushe, e di shumë mirë se tani në prag të zgjedhjeve, disa miliona euro plus edhe nga kumari, nuk do ti bënin keq Rilindjes dhe shefit të tij në synimin për të fituar një mandat të dytë. Por mënyra se si e bëjnë këtë është pak për tu quajtur e turpshme; duke përdorur dhe mashtruar jo vetëm votuesit e tyre, por edhe deputetët e vetë.

Menjëherë pas fushatës së madhe anti-kumar, Rama nxori edhe një ligj të ri, sipas të cilit vendoseshin kritere si në çdo vend të botës për këtë biznes, si dhe respektimi distancave të salloneve të basteve dhe kumarit, duke u bërë e mundur që të largohen sa më shumë nga zonat e banuara të qyteteve.

Kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga “Marrëzia e Fundit” e Ramës që në fakt ishte e para në radhë dhe ky aktivitet në mënyrë të ligjshme apo pirate, vetëm sa ka lulëzuar. Kjo sepse edhe i famshmi ligj që reklamoi me të madhe atëherë Rama, nuk është zbatuar asnjë ditë dhe është bllokuar qëllimisht. Tani kërkojnë ta shtyjë edhe 2 vjet.

Ligji i ri i detyron këto subjekte, të respektojmë distancat për sallat e basteve. Sipas nismës së firmosur qorrazi (të paktën nga Gjylameti) nga 6 deputetët, ky parashikim është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave, që këto subjekte kanë nënshkruar, janë për një afat kohor më të gjatë. Shtyrja e afatit, gjithnjë sipas tyre (deputetëve lobues), ndikon edhe në shmangien konfliktet gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore. Por çfarë thotë sot Ahmetaj; Gropë e madhe në buxhetin e shtetit!

Tallja dhe përdorja ordinere që Rama bën sistematikisht me deputetët e vetë në funksion të pazareve, tashmë nuk do më koment!

 SYRI.net