Thaçi në vazhdën e manipulimeve, sot tek ambasadorët: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as shkëmbim

Presidenti Hashim Thaçi ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe të enjten në Konferencën e Ambasadorëve, raporton Gazeta Express.

Ai ka thënë se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë janë shumë të vogla. “Mundësitë janë shumë të vogla. Do të bëjmë përpjekje maksimale”, ka thënë Thaçi raporton Gazeta Express. Sipas tij marrëveshja me Serbinë do të ketë kuptim vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën si shtet.

“Marrëveshja do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke dhe heqja e të gjitha pengesave të anëtarësimit të Kosovës në OKB”, është shprehur presidenti Thaçi. Ndërkohë duket se tashmë ka filluar të mos e përmend idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Kosova nuk ka kuptim pa Mitrovicë dhe Gazivodë. Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim dhe nuk do të ketë republika srpska”, ka shtuar Thaçi.

“Të gjithë që flasin për ndarje, asociacion e nxisin Serbinë që të flasë për to dhe të na vështirësojë dialogun në Bruksel”, ka përfunduar presidenti.

Kujtojmë se sot pritet të mbahet seanca e thirrur nga opozita, ku pritet miratimi i një rezolute që ia ndalon Thaçit të flas për kufijtë e Kosovës në Bruksel.