VIDEO EKSKLUZIVE/ Basha, Thaçit: Nuk e kuptoj fjalën ‘korrektim kufijsh’. Në 2010 ju ndihmova

Peka: Për shkak të viteve të gjata të punës të kaluara në Kosovë, si pjesë e stafit ndërkombëtar, ndoshta jeni politikani shqiptar apo ndër liderët politikë të Shqipërisë që e njihni më mirë Kosovën. Jashtë këtij konteksti, pra riskimi që ka anëtarësimi në NATO dhe në BE, a ka vend për korrektim kufijsh në Kosovë?

Basha: Ç’do të thotë korrektim kufijsh në Kosovë?

Peka: Është një term që përdor presidenti Thaçi.

Basha: Ka demarkim, ka proces demarkimi kufijsh. Aty ku ka paqartësi, pra nëse kufiri bie tek molla apo tek gështenja, ka demarkim të kufirit. Ky është një proces teknik, ndërsa korrektimi i kufijve është një shprehje të cilën unë nuk e kuptoj.

Peka: Presidenti Thaçi është shprehur qartë që…

Basha: Nuk kam ndërmend të komentoj publikisht këtu asnjë deklaratë…

Peka: Mbi akuzat e Hashim Thaçit ndaj Sali Berishës?

Basha: Komentin tim e kam bërë aty ku duhet. Ajo që ka rëndësi për momentin është të fokusojmë të gjitha energjitë pozitive për t’ju kundërvënë një skeme anti-NATO e anti-BE, të vënë në lëvizje prej shumë vitesh. Unë vetë jam ballafaquar me këtë skemë në tetorin e vitit 2010, në një samit ndërkombëtar, nga drejtues të lartë të qeverisë serbe të atëhershme ku isha Ministër i Brendshëm dhe kisha vetëm një vit që isha larguar nga pozicioni i Ministrit të Jashtëm dhe natyrisht që kam bërë detyrën time në raport edhe me lidershipin Kosovar, të gjithë faktorët politikë të Kosovës, lidershipin Kosovar të asaj kohe, dhe faktorin ndërkombëtar, aleatët tanë strategjikë, nga Uashingtoni në Bruksel, në Berlin dhe në Londër. Pra për mua këtu nuk ka asnjë surprizë, është një skenar i vjetër i cili synon të shkatërrojë perspektivën evropiane të Ballkanit. Perspektiva evropiane e Ballkanit do të thotë që kufijtë të mos kenë pikë rëndësie për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të lëvizësh pa kontroll dokumentesh identifikimi…